MENU
klinika

Project Syndicate

Nga Irani varet e ardhmja e Perëndimit…

29.08.2019 - 16:16

Në samitin e G7 në Biarritz, Francë, këtë muaj, mendohej se përçarja më e madhe do të vinte nga Presidenti i SHBA Donald Trump ose Kryeministri britanik Boris Johnson.

Megjithatë, i pranishmi që kishte ndikimin më të madh ishte dikush që nuk pritej të ishte atje: Ministri i Jashtëm iranian Javad Zarif.

Edhe pse mbulimi mediatik i samitit u përqëndrua në luftërat tregtare, zjarret në Amazon, dhe rreziku i një Brexit “pa marrëveshje”, diskutimet rreth Iranit ishin ndoshta me pasoja.

Fati i marrëveshjes bërthamore të Iranit 2015 mund të përcaktojë jo vetëm nëse do të nisë një garë e re e armëve bërthamore, por edhe nëse aleanca politike perëndimore mund të mbijetojë.

Ditët e fundit, lojtarët kryesorë në dramën e Iranit duket se po bëjnë lëshime. Mbretëria e Bashkuar ka lëshuar tankerin iranian (Grace 1) që e kapi në Gjibraltar. Dhe, më e rëndësishmja, Trump ka shprehur gatishmëri për t’u takuar me Presidentin iranian Hassan Rouhani.

Megjithatë, ende ka disa rreziqe. Administrata Trump mbetet e bindur se sa më shumë presion ti bëjë Iranit (dhe aleatëve evropianë të Amerikës), aq më mirë.

Irani është zhgënjyer në mënyrë të kuptueshme nga përparimi i ngadaltë i Evropës për Instex, një mekanizëm i krijuar për të lejuar tregtinë midis Evropës dhe Iranit pavarësisht sanksioneve amerikane. Por ata në Iran që pretendojnë se nuk kanë marrë asgjë nga Evropa janë thjesht të gabuar.

Aftësia e Evropës për të mbajtur mbështetjen për marrëveshjen e Iranit në kundërshtim me presionin e SHBA na ka befasuar shumë të gjithëve. Edhe qeveria britanike ka respektuar pozicionin e BE-së deri më tani. Por kjo mund të ndryshojë.

Nisur nga ky rrezik, është zhgënjyese që Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar nuk kanë filluar një mision të përbashkët evropian në Gjirin Persik, në mënyrë që një sulm ndaj njërit të jetë një sulm për të gjithë. Nëse Britania e Madhe shkëputet nga BE, Gjermania do të jetë objektivi tjetër (si në Iran ashtu edhe në SHBA).

Për të larguar këto rreziqe, Macron po i kërkon Trump të konsiderojë përjashtimet e sanksioneve nëse Irani pajtohet edhe një herë me marrëveshjen bërthamore duke zvogëluar aktivitetet e tij të pasurimit dhe i hap derën bisedimeve të mëtejshme me Perëndimin.

Evropianët duhet të bindin iranianët të mos mbivlerësojnë fuqinë e tyre.

Gjithashtu evropianët duhet të kenë në vëmendje Gjirin Persik. Ata duhet të krijojnë një strategji në rast se SHBA ose Irani provokojnë një konfrontim. Organizimi i një konference detare që përfshin Iranin mund të jetë një hap i parë i mirë.

Në terma të tjerë, kjo është axhenda që Macron kërkon përpara mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në fund të shtatorit. Nëse strategjia ka sukses, samiti i Biarritz mund të rezultojë të jetë mbledhja e parë e suksesshme e G7 e presidencës së Trump.

Mark Leonard është Drejtor i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Trump kërkon të nisë bisedimet

Marrëdhëniet SHBA-Iran po përmirësohen