Magjia e natyrës në Bashtovë, do të shkrihet me tingujt e muzikës së përzgjedhur shqiptare. Për tri net radhazi, “Bashtova Festival” do të dhurojë muzikën më të bukur, mes magjisë së natyrës në Kalanë e Bashtovës, në Shqipëri.
Prej ditës së nesërme, ky festival do të ofrojë për pushuesit e vizitorët muzikën më të mirë, si dhe aktivitete të tjera në natyrën spektakolare të zonës.
Më tepër se 15 artistë të njohur nga Kosova dhe Shqipëria, do të mblidhen nesër në Bashtovë, për të performuar në netët e bukura të këtij festivali.
Ky festival është i ndërtuar me fokus, mjedisin dhe trashëgiminë, duke synuar të ofrojë shkëputje për tri ditë nga jeta dinamike urbane.
Në Kalanë e lashtë të Bashtovës, do të performojnë artistë të veçantë të muzikës shqiptare, ndër të cilët: Dren Abazi, grupi “Asgjë Sikur Dielli”, Shpat Deda dhe Genc Salihu.
“Bashtova Festival 2019”, ju fton nga 30 gushti deri më 1 shtator.