Pas samitit të G7, ku Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif u shfaq papritur, pyetja jashtëzakonisht e rëndësishme është nëse diplomacia e Presidentit Emmanuel Macron mund të ketë sukses.
Deklaratat nga Macron dhe ekipi i tij i politikës së jashtme bëjnë të qartë se objektivat kryesore të kësaj diplomacie janë të trefishta: ndalimi i përshkallëzimit të tensionev në Gjirin Persik, parandalimi i rifillimit të krizës bërthamore të Iranit, dhe mirëkuptim midis Teheranit dhe Uashingtonit.
Të dy, Donald Trump dhe Hassan Rouhani do të marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Shtator, dhe vrulli i përpjekjeve të Macron për një takim të mundshëm në New York mund të japë rezultate pozitive. Për momentin, Rouhani e ka bërë heqjen e sanksioneve amerikane si parakusht për një takim.
Është e qartë se asnjëra palë nuk do të pranojë kërkesat e palës tjetër përpara negociatave të drejtpërdrejta, pasi një gjë e tillë do të ishte e barabartë me vendosjen e karrocës përpara kalit. Përkundrazi, qëllimi duhet të jetë që të negociojmë pa asnjë parakusht dhe të përpiqemi për një përparim të vërtetë.
Avantazhi i ndërhyrjes së Macron është se ai ka mbështetjen e fuqive të tjera të mëdha evropiane dhe gjithnjë e më shumë ka arritur të fitojë besimin e Iranit.
Dështimi i SHBA-së për të ndërtuar një koalicion ndërkombëtar kundër Iranit e ka lejuar atë të lëvizë më afër Rusisë. Në qoftë se administrata Trump nuk bën “presion maksimal” kundër Iranit, prirja aktuale për një simbiozë më të madhe strategjike midis Teheranit dhe Moskës do të vazhdojë.
Pavarësisht kërcënimeve dhe kundër-kërcënimeve nga të dy palët, SHBA dhe Irani mund të pritet të negociojnë, sipas propozimeve nga qeveria franceze, pra negociatat e drejtpërdrejta. Padyshim, negociata të tilla do të përfshinin çështje rajonale si lufta në Jemen.
Udhëheqësit evropianë gjithashtu kanë njëfarë ndikimi mbi Trump. Nëse ai refuzon angazhimin diplomatik me Iranin, Evropa mund të vazhdojë me planet për të anashkaluar sanksionet amerikane ndaj Iranit përmes mekanizmit financiar të njohur si INSTEX.
Pra, ndërhyrja e Macronit ka rritur mundësinë e një samiti Trump-Rouhani që do t’iu përgjigjet nevojave dhe përparësive të të dy liderëve. Në trajtimin e një krize kaq të rrezikshme ndërkombëtare, Macron ka mbushur një boshllëk të rëndësishëm udhëheqjeje.
Nader Entessar është profesor i njohur i shkencave politike në Universitetin e Alabamas së Jugut. Kaveh L. Afrasiabi është i specializuar në politikën e jashtme të Iranit. Ata janë bashkëautorë të një libri.