Një vendim i fundit i qeverisë i kalon atributin e lëshimit të raportit mjekësor që paraqitet nga punonjësit pranë punëdhënësit mjekut të familjes.
Konkretisht ndryshimi në vendimin “Për përcaktimin e rregullave, të procedurave të llojeve të testeve ekzaminuese mjekësore që do të kryhen në varësi të punës së punëmarrësit si dhe të mënyrës së funksionimit të shërbimit mjekësor në punë” kanë ndryshuar dy pika.
Kështu në pikën 1 më herët thuhej se për të siguruar kontrollin shëndetësor në punë të punëmarrësve, punëdhënësi: punëson punëmarrësit e tij bazuar në raportin e lëshuar nga komisioni mjekoligjor pranë çdo qendre shëndetësore, i cili dorëzohet vetëm në momentin e fillimit të punës”. Me ndryshimin e fundit në vendim përcaktohet se nuk ka nevojë që raporti të lëshohet nga komisioni mjekoligjor, atë mund ta lëshojë edhe mjeku i familjes sipas kushteve të përcaktuara në vendim.
“Për të siguruar kontrollin shëndetësor në punë të punëmarrësve, punëdhënësi punëson punëmarrësin e tij, bazuar në raportin e lëshuar nga mjeku i familjes pranë çdo qendre shëndetësore, sipas shtojcës V, që i bashkëlidhet këtij vendimi, i cili dorëzohet në momentin e fillimit të punës” saktësohet në vendimin e ri.
Nga ana tjetër shkronja “b” e pikës 1 të vendimit ndryshon gjithashtu duke shtuar kërkesat për mjekun e punës, shkruan monitor. Ky i fundit është detyrim për kompanitë që kanë një numër të caktuar punonjësish.
“Për të siguruar kontrollin shëndetësor në punë të punëmarrësve, punëdhënësi: b) kërkon kontroll paraprak shëndetësor në momentin e punësimit dhe/ose gjatë tremujorit të parë të punës nga mjeku i punës, për të siguruar që shëndeti i punëmarrësve nuk vihet në rrezik nga ekspozimi ndaj risqeve profesionale” thuhet në vendimin fillestar.
Në vendimin e ndryshuar shtohet se mjeku i punës duhet të kartelizojë çdo punonjës në fillim të punës e duhet të dokumentojë në kartelën shëndetësore të punëmarrësit dhe të vlerësimit të riskut të gjitha vizitat dhe ekzaminimet që do të kryejë punëmarrësi në vazhdim, sipas shtojcës VI, që i bashkëlidhet këtij vendimi.