Emigrimi i studentëve dhe punëtorëve të kualifikuar po shoqërohet me humbje të kapitalit njerëzor dhe kjo po ndikon negativisht te vendet e varfra.
Shqipëria renditet ndër 10 vendet me hemorragjinë më të lartë të njerëzve të arsimuar sipas UNESCO-s.
Raporti i Monitorimit Global për Arsimin nga UNESCO për vitin 2019 i kushtoi vëmendje të veçantë faktit se si po ndikon emigracioni në sektorin e edukimit kudo në botë.
Studimi gjeti se, shkalla e emigrimit të personave të arsimuar është mbi 20%, në rreth një të tretën e 174 vendeve. Në Shqipëri, deri në vitin 2010, kishin emigruar 26% të personave me aftësi të zhvilluara, raporton UNESCO.
Sipas studimit, Shqipëria dhe Malta renditen me përqindjen më të lartë të emigrimit të personave të arsimuar, ndërsa vendet e tjera të prekura nga ky fenomen janë kryesisht në Afrikë, të tilla si Eritrea, Grenada, Haiti, Sri Lanka etj.
Lëvizja në këto nivele do të ketë pasoja të pafavorshme për zhvillimin ekonomik.
Ndihmat në formën e bursave nga donatorët për vendet e varfra, si edhe Shqipëria, mund ta përkeqësojnë këtë prirje, pasi studentët kanë prirje të mos kthehen. UNESCO sugjeron se ndihmat e donatorëve duhet të fokusohen në mbështetjen me logjistikë dhe me fonde tek universitetet në vendet e varfra.
Vendet e varfra me emigracion të lartë të personave të arsimuar vuajnë edhe nga keqpërdorimi i fondeve publike për arsimin.
Një vlerësim i Bankës Botërore zbuloi se rreth 18% e shpenzimeve publike të arsimit universitar në Afrikën Sub-Sahariane shkuan për bursa studimi jashtë vendit gjatë periudhës 2003-2008, shkruan monitor. Sipas të dhënave të OECD-së, emigrimi i shqiptarëve të arsimuar në vitin 2010 dhe 2011 është rritur me 223% krahasuar me vitin 2000 dhe 2001. Kjo rritje ishte më e lartë se emigrimi për pjesë të tjera të popullatës me arsim të mesëm dhe të ulët.
Një studim i profesorëve Ilir Gëdeshi dhe Russell King, për llogari të Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (PNUD) i publikuar së fundmi, tregoi se Shqipëria renditet në mesin e 15 vendeve për emigracion të lartë të personave të arsimuar dhe me grada shkencore.