Kalaja e Ulqinit dhe teatri i lashtë i saj, risjellin shpirtin shekullor shqiptar përmes veglave të vjetra muzikore dhe interpretuesve të tyre. Me këtë temë, është mbajtur edhe simpoziumi kombëtar “Instrumentet klasike të muzikës shqiptare”, ku u ravijëzua rëndësia e ruajtjes së kësaj trashëgimie të pasur kulturore.
Studiues e njohës i mirë i muzikës shqiptare, Zef Çoba thekson rëndësinë që ka ruajtja e së traditës.
“Ruajtja e traditave pasuron mozaikun e vendeve tona dhe ky mozaik, meriton me u ruajtë me kujdesin më të madh nga gjeneratat që vijnë. Zhvillimi i simpoziumit dhe i koncerti ekspozon vlerat e kësaj trashëgimie dhe një farë mënyre është thirrje që të gjithë bashkë, të përpiqemi t’i ruajmë këto vlera”.
Studiuesi Pirro Misha, vë në dukje rrezikimin e veglave muzikore nga muzika e sotme elektronike, muzikë që gjithnjë, sipas tij, po dominon në skenën muzikore.
“Çështja e instrumenteve tradicionale po ndeshet sot më fuqishëm me një kategori të pestë të instrumenteve muzikorë ku është integruar edhe elektronika. Elektronika ka krijuar disa instrumente të atillë që tentojnë të imitojnë instrumentet popullore. Këto instrumente nuk kanë arritur të zëvendësojnë atë bukurinë dhe timbrikën e instrumenteve tradicionale popullore”.
Veglat popullore tek shqiptarët në Mal të Zi, sipas këngëtarit të njohur të folklorit, Nikollë Nikprelaj, dikur ishin shumë të përhapura, ndërkohë që sot, sipas tij, po shkojunë drejt zhdukjes.
“Sidomos tek shqiptarët në Mal të Zi, rrezikohet më së shumti zhdukja e këtyre instrumenteve, pasi, të paktë ose aspak, janë ata që kultivojnë në mënyrë mirëfilli këto instrumente”.
Organizatori i kësaj mbrëmjeve, Cafo Boga, kryetar i Fondacionit Kulturor Shqiptaro-Amerikan, me seli në Neë York, vlerëson se në kohën e globalizmit është e domosdoshme ruajtja e këtyre veglave të rëndësishme muzikore.
“Trashëgimia kulturore e jona, po zbehet dita-ditës nga stuhia e globalizmit, që ka përfshirë tërë botën e sidomos kombet e vogla. Muzika klasike në kuptimin e vërtetë, nuk është vetëm muzika klasike e Europës Perëndimore, por edhe ne, si iliro-shqiptarë e kemi muzikën klasike tonën që është muzika burimore.”
Veglat e lashta tregojnë historinë muzikore të një kombi. Shumë prej tyre, kanë nisur të dalin nga përdorimi çka paraqet një shqetësim për studiuesit shqiptarë.