Ka vuajtur jo pak, por Manchester United duket se është zhbllokuar pas problemeve që ka patur në fillimin e sezonit. Skuadra e Jose Mourinho ka marrë fitoren e dytë radhazi në Premier League, pasi ka mundur 2-1 në transfertë Watford-in.
Protagonistët e ndeshjes kanë qenë Romelu Lukaku dhe Chris Smalling, të dy autorë të dy golave të veçantë. Sulmuesi belg, në fakt, ka zhbllokuar ndeshjen në minutën e 35-të me një gol të veçantë, duke dërguar topin në rrjetë me bark.
Tri minuta më vonë ka ardhur goli i dytë i miqve, me Chris Smalling që ka shënuar një gol të mrekullueshëm me gjysmë roveshiatë pas një kontrolli të bukur me gjoks. Reagimi i vendasve ka ardhur në minutën e 65-të, teksa Gray ka ngushtuar diferencat në 2-1.
Në minutat e fundit të ndeshjes, United ka mbetur me 10 lojtarë pas kartonit të dytë të verdhë të marrë nga Matic, por, pavarësisht nga kjo, “Djajtë e Kuq” kanë arritur ta mbrojnë avantazhin deri në minutat e fundit dhe të bëjnë një hap më shumë drejt vendeve të para në renditje.