Operatori i Sistemit të Shpërndarjes vijon investimet për modernizimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike.
Ndërhyrja e radhës është kryer në qytetin e Fierit ku po punohet për fuqizimin e nënstacionit nga ku pritet të përfitojnë edhe mjaft kompani që ushtrojnë aktivitetin në këtë zonë.
“OSHEE është në proces ndërtimi të 4 fiderave 20 kV të cilët do të lidhen me nënstacionin Fier 1, duke siguruar kapacitetet e shtuara për zonën, ku shumë kompani zhvillojnë e synojnë të instalojnë po ashtu, aktivitetin e tyre. Nga ana tjetër projektet e zhvillimit të vijës bregdetare të Fierit, ku po investohet në infrastrukturë rrugore, janë një shtysë komplementare për këto investime në rrjetin e shpërndarjes,” shprehet Kryeministri Edi Rama.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka parë nga afër ecurinë e investimit në rrjetin 20 kV në qytetin e Fierit. Ky investim do të përmirësojë ndjeshëm furnizimin e abonentëve me një shërbim cilësor e të pandërprerë.
“Me mbledhjen e të ardhurave nga konsumi i energjisë që arrin në 98%, Fieri është sot një qytet model për sa i përket pagesave dhe e meriton të gjithë vëmendjen e shtuar që ka marrë në kuadër të planit të investimeve,” deklaron Kryeministri Rama.