Autoritetet përkatëse në Kavajë kanë vendosur në dispozicion stadiumin “Besa” për personat e prekur nga tërmeti.
Ministri i Turizmit Blendi Klosi deklaroi se stadiumi i Kavajës do të jetë në dispozicion të çdo qytetari që ka nevojë për strehim prej rrezikut të fatkeqësisë natyrore.
“Jam në Kavajë, me autoritetet përkatëse dhe me policë të Komisariatit të Kavajës. Bashkia e Kavajës ka realizuar një qendër publike, me qëllim që familjet në nevojë të mund të jenë më të sigurt. Bashkë me kryetarin e Kavajës, kemi organizuar një takim me strukturat për shërbime ndaj familjeve kavajase, e po ashtu për të ndërhyrë në mënyrë urgjente në banesat e dëmtuara.
Ju bëj thirrje që të gjithë ata persona në Kavajë, që kanë pasur probleme me strehimin, mund të vijnë këtu pranë stadiumit të Kavajës. Bashkia ka organizuar një pritje për banorët. Fatkeqësia ka ndodhur, disa shtëpi janë shkatërruar dhe duhet pak kohë që të përmirësohen kushtet. Ne jemi këtu edhe për të qenë afër me personat, me qëllim që të gjendemi pranë tyre”, tha Blendi Klosi.
Ndërkohë, Redjan Krali, kryetari i Bashkisë Kavajë, u shpreh se bashkia është kujdesur për njerëzit e prekur nga tërmeti, duke i strehuar në stadiumin “Besa”. Ai gjithashtu iu bën thirrje gjithë biznesmenëve të Kavajës të ndihmojnë sado pak në këtë moment të vështirë për qytetarët.
“Siç e shikoni këtu në stadiumin Besa kemi strehuar disa familje. Falënderoj edhe Komisariatin e Kavajës për sigurinë. Gjej rastin që t’iu them biznesmenëve që të mund të ndihmojnë në këtë rast të vështirë. Ne kemi pasur ekip profesionistë dhe po angazhohemi për strehim të njerëzve”, u shpreh Krali.