Duke folur në mbledhjen e parë të Shoqatës për Autonominë Vendore, pas konstituimit të bashkive të reja, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj theksoi se në këto momente, krahas bizneseve dhe ambasadave, edhe një numër i konsiderueshëm bashkish nga vende të ndryshme kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar për përballimin e situatës që u krijua si pasojë e tërmetit të javës së shkuar.
Ndërkaq, pas ndihmës së dhënë për Bashkinë e Durrësit për kapërcimin e situatës së tërmetit, Bashkia e Tiranës do të ndërtojë në Bashkinë Kamëz edhe një çerdhe të re.
Në këtë mënyrë, plotësohet edhe një kërkesë e hershme e banorëve të Kamzës, të cilët për shumë e shumë vite ishin neglizhuar nga administrata e mëparshme.
Veliaj: “Ne si bashki, përpara se të kërkojmë solidaritet me të huajt, duhet të ofrojmë solidaritet me njëri-tjetrin; kjo është arsyeja pse akorduam një fond 200 milion për qytetin e Durrësit në përballimin e situatës me tërmetet, ndërkohë që kemi vendosur gjithashtu, që në buxhetin e ri, të fusim edhe një fond për të ndërtuar një çerdhe të re në qytetin e Kamzës. Është një nga të vetmet bashki që kundërshtarët tanë e kanë pasur prej vitesh, por bashki pa çerdhe”.
Veliaj përshëndeti vendimin e Bundestagut gjerman që i tha “Po” çeljes së negociatave të Bashkimit Europian me Shqipërinë. Veliaj theksoi se ky hap është edhe një mundësi për njësitë vendore, ndërsa kërkoi prej bashkive që të rrisin kapacitetet për të përfituar përmes projekteve të ndryshme me BE-në.
Veliaj: “Lajmi i djeshëm i Bundestagut, që votoi në favor të integrimit të Shqipërisë, është një lajm i jashtëzakonshëm. Për ne është një mundësi e paimagjinueshme. Bashkitë e BE-së, gjysmën e stafit e kanë vetëm që shkruajnë projekte për Bruksel. Në momentin që zyrtarizohet dhe na hapet një derë, do të na duhet që në çdo Bashki të kemi zyra vetëm që shkruajnë projekte.”
Lidhur me strehimin, Veliaj theksoi e ka ardhur koha për decentralizimin dhe këtë kompetencë do e kenë bashkitë.
Duke qenë 75-vjetori i Çlirimit, një nga porositë që u la në mbledhjen e Shoqatës për Autonominë Vendore ishte dhe përgatitja për ceremonitë festive dhe përkujtimore. Gjatë kësaj mbledhje u bë pranimi i 14 bashkive të reja të cilat nga sot janë anëtare të Shoqatës së Autonomisë Vendore.
Gjithashtu krerët e bashkive ranë dakord që të rakordojnë propozimet që do bëjnë sa i përket përgatitjes së projektbuxhetit të ri.