MENU
klinika

"Do rindërtojmë banesat e dëmtuara..."

Veliaj mbledh Shtabin e Emergjencave pas tërmetit

23.09.2019 - 18:36

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mblodhi sot pasdite Shtabin e Emergjencave për raportimin e situatës në terren pas tërmetit të së shtunës dhe masat e marra për përballimin e tij.

Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se sfida është kthimi në normalitet dhe siguroi qytetarët se Bashkia e Tiranës do të bëjë maksimumin.

“Kjo është sfida që kemi tani, kthimi në normalitet; tërmetin nuk e kemi në dorë, kthimin në normalitet, solidaritetin, rimëkëmbjen, pastrimin dhe rikuperimin e humbjeve, këto i kemi vetë në dorë dhe do bëjmë maksimumin”, u shpreh ai.

Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që nëse kanë probleme të raportojnë menjëherë pranë Njësive Administrative. “Duhet të jemi më të qartë, hapat janë: shkon te njësia administrative, aty listohesh, inventarizohet dëmi, plotësohet formulari, pastaj ju bëni lidhjen me ekipin tonë të vlerësimit. Ekipi i vlerësimit plotëson dokumentacionin dhe më pas i gjithë fondi, që kaloi dje, pjesëtohet sipas nevojave”, sqaroi Veliaj.

Ai tha se për të gjitha ato shtëpi që janë të dëmtuara do të bashkëpunohet edhe me kompanitë private për rindërtimin e tyre në një kohë sa më të shpejtë. “Do të nisim një binjakëzim, ku secili do të adoptojë nga një shtëpi; nuk i kushton askujt dy shtëpi në Zall-Herr, në Ndroq e kështu me radhë, tek komuniteti i sipërmarrjes e biznesit”, shtoi Veliaj, teksa kërkoi prej të gjithëve që të shkojnë edhe në zonat më të thella për t’u takuar me çdo familje. “Dua që brenda këtij 24 orëshi, stafi duhet të shkojë deri tek fshati më i largët, qoftë edhe për të bërë kontaktin e parë, për t’u dhënë sigurinë njerëzore se kemi mbërritur”, tha ai.

Veliaj tha se në ato ndërtesa të vjetra që kanë pësuar dëmtime të mëdha nga lëkundjet sizmike, si “Pallatet Sovjetike” në Kombinat, mund të rindërtohen nga e para, e aty mund të strehohen jo vetëm familjet ekzistuese, por edhe ato që nuk kanë një banesë. “Për Pallatet Sovjetike, struktura vërtet mund të jetë në rregull, por ato gjithsesi mbeten pallate me mballoma.

Mund t’ia vlejë që ato të rizhvillohen dhe secili të marrë nga një apartament; mund t’ia vlejë që t’i zhvillojmë si banesa sociale, pra të prishim 3-katëshet dhe t’i bëjmë 5-katëshe, duke fituar edhe disa apartamente të tjera, për të tjerë njerëz në nevojë nga zona e Kombinatit, ‘Misto Mames’, Yzberishtit. Pra aty mund t’ia vlejë një zgjidhje afatgjatë”, theksoi Veliaj.

Ndërkohë, ai shtoi se janë marrë të gjitha masat edhe për rifillimin e mësimit nesër nëpër shkolla. “Shpëtimi për këtë vend është arsimi, ndaj besoj që sot i japim dorën e fundit shkollave. Nesër do të bëjmë një tur në disa shkolla, kopshte e çerdhe, që të sigurohem edhe unë që jam prezent bashkë me ju për të filluar normalitetin.

Njerëzit janë shumë më të ftilluar se shumë nga menaxherët e portaleve, janë rritur me vuajtje, kanë kaluar komunizmin, tranzicionin, shtëpitë i kanë bërë vetë si kanë mundur, me qerpiç, por na rezulton që pjekuria në terren është shumë herë më e lartë se këta gjithologët që japin mend tani edhe për tërmetet e oraret”, përfundoi fjalën kryebashkiaku.

Ankohen përdoruesit e aplikacioneve

Facebook, Instagram dhe WhatsApp shfaqin probleme

Brenda shtëpisë së braktisur të Bashar al-Assadit!

Çfarë gjetën rebelët në shtëpinë e diktatorit sirian

“Duhet të koordinohen të gjitha institucionet”

Rama: Kuvendi, institucioni kyç për integrimin në BE

"Pa vullnetin e PS, SHBA dhe BE s’do ta kishin bërë Reformën në Drejtësi"

Rama u përgjigjet akuzave të opozitës: S’kemi kohë për të humbur!

Nga ‘takimi’ me alienët deri te lufta shkatërruese!

Baba Vanga bën parashikimin ‘e frikshmëm’ për 2025-n