MENU
klinika

Nisma e fundit e qeverisë Rama

Procedurat si të merren tapitë e tokave të bllokuara nga Kadastra

29.09.2019 - 10:47

Koha po kalon, por vështirësitë që kanë dalë përpara nismës më të fundit të qeverisë për të përmbyllur procesin e kalimit të pronësisë mbi të gjitha tokat e ndara sipas Ligjit 7501 e kanë bllokuar finalizimin e draftit përkatës.

Problemi më bllokues është ai që detyron Kadastrat të mos pranojnë dokumentacionin e pronësisë, duke qenë se në aktin fillestar të marrjes së tokës përkatëse mungon një firmë, një emër, apo kanë kaluar afatet e parashikuara për dërozimin. Kjo ka bërë që mijëra familje në zonat rurale prej vitesh kanë humbur çdo shpresë për marrjen e tapive. Kjo ka bërë që ministria e Bujqësisë dhe ajo e Drejtësisë të hartojnë projektligjin, i cili synon t’u japë fund ecejakeve të qytetarëve.

Po si do të procedohet në këto raste?

Mangësia

Në ato raste kur regjistrimi i titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore është bllokuar për shkak se ka mungesë në Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) të firmës së kryetarit të komisionit të ndarjes së tokave në fshat konform ligjit 7501, drafti parashikon që të bëhet verifikim në një organ/institucion që është më i lartë se komisioni në fjalë.

Në rast se një gjë e tillë ende nuk e zgjidh situatën, atëhere do të analizohet dokumenti AMTP për të parë në se janë vendosur në të firmat e shumicës së anëtarëve të komisionit ndarës apo jo. Në rast se po, drafti thekson se Kadastra duhet të pranojë AMTP si të vlefshëm dhe të procedojë me nxjerrjen e tapisë përkatëse.

Korrigjimi

Problemi tjetër që është konstatuar gjerësisht është ai i plotësimit me shkrim dore, herë herë të palexueshëm e të dëmtuar në vite, ose kur është fshirë me stilolaps tofjalëshi “në përdorim” dhe sipër tij është shkruar “në pronësi”. Sipas ligjit të Kadastrës, ky dokument nuk mund të pranohet, duke qenë se konsiderohet se mbi është vënë dorë, është korrigjuar. Por rastet janë të shumta, duke marrë parasysh vitet kur është vepruar për matjen e tokës, që përkojnë me fillimet e periudhës së demokracisë. Projektligji bën një lëshim të madh në këtë drejtim, duke vendosur që Kadastrat duhet ta pranojnë dokumentin edhe me shkrimin sipër.

Kadastrat do t’u kërkojë bashkive të verifikojnë nëse janë shprehur apo jo me shkrim anëtarët e komisioneve, duke pranuar faktin se mungonin formularët. Kjo zgjidh ngërçin, megjithatë duhet të verifikohet nëse ndryshimet janë bërë më vonë në vite. Në një rast të tillë, dokumenti do të konsiderohej i falsifikuar.

Pra, ky lëshim mund të bëhet vetëm në rastin e dokumentave të lëshuara vetëm në territoret e ish-kooperativave bujqësore. Por, nuk do të pranohen dokumenta të korrigjuara në këtë formë, pra që korrigjojnë faktin nëse toka është dhënë në përdorim apo në pronësi, kur komisionet kanë ndarë tokat e ish-ndërmarrjeve bujqësore, të cilat kryesisht ishin krijuar në qytete, ku dokumentacioni nuk mungonte edhe në atë kohë, ndryshe nga ç’ndodhte në zonat e largëta rurale.

Për ish-NB-të nuk do të pranohen për regjistrim tapie dokumente të marrjes së tokës në pronësi kur është korrigjuar me dorë “në përdorim” me “në pronësi”, si dhe kur ka korigjime të tjera po me shkrim dore nga anëtarët e komisioneve të ndarjes së tokës tek numri i ngastrës, ose tek sasia e sipërfaqes së përfituar, ose tek emërtimi i kategorisë së ngastrës.

Një rregullim tjetër, nisur nga ngërçe shumëvjeçare të konstatuara në praktikë, është ai që synon të zgjidhë atë situatë, kur në të njejtin titull pronësie janë përfshirë gjatë ndarjes me komisione dy certifikata familjare dhe ky bashkim është bërë duke i konsideruar këto dy certifikata si bashkim të një familjeje të vetme bujqësore. Një veprim i tillë nuk do të konsiderohet më i papranueshëm për efekt regjistrimit të titullit të pronësisë, duke hapur kështu rrugën për njohjen dhe regjistrimin e tyre nga Kadastra. Por përfituesit duhet të sjellin deklarata noteriale ku të thuhet se ata nuk janë trajtuar me asnjë AMTP tjetër. Në të kundërt, Akti do të quhet i pavlefshëm dhe nuk mund të regjistrohet titulli i pronësisë. Nga ana tjetër, këto AMTP që të “legalizohen” duhet të jenë lëshuar para 15 gushtit 2008. Njëkohësisht, bashkitë duhet të bëjnë edhe një verifikim të numrit të pjesëtarëve të familjeve deri në datën 1 tetor 1992, si dhe të verifikojnë faktikisht tokën bujqësore që familja ka aktualisht në dispozicion.

Problematikat e konstatuara

Bashkimi

Në të njejtin titull pronësie janë përfshir gjatë ndarjes me komisione dy certifikata familjare dhe ky bashkim është bërë duke i konsideruar këto dy certifikata si bashkim të një familjeje të vetme bujqësore

Dokumenti

Është plotësuar me shkrim dore, të dëmtuar në vite, ose është fshirë me stilolaps tofjalëshi “në përdorim” dhe sipër tij është shkruar “në pronësi”. Sipas ligjit të Kadastrës, ky dokument nuk mund të pranohet

Firma

Ka mungesë në AMTP të firmës së kryetarit të komisionit të ndarjes së tokave në fshat konform ligjit 7501. Drafti parashikon që të bëhet verifikim në një organ/institucion më të lartë se komisioni në fjalë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Procedurat si do të jepet

Keni humbur certifikatën e pronësisë?

Specialistët në terren

Kadastra Durrës fluks regjistrimesh