Koreja e Veriut mund të ketë hedhur një raketë balistike nga një nëndetëse, një veprim që erdhi vetëm disa orë pasi Pyongyang tha se do të rifillonte bisedimet bërthamore me SHBA.
Zyrtarët e Koresë së Jugut thanë se një raketë e lëshuar pranë portit të Wonsan fluturoi rreth 450 km (280 milje) dhe arriti në një lartësi prej 910 km, para se të binte në Detin e Japonisë.
Nëse konfirmohet, ky do të ishte një përshkallëzim shumë i madh që nga testet e raketave me rreze të shkurtër që ka realizuar që nga maji.
Kryeministri japonez Shinzo Abe tha se ishte një shkelje e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që ndalojnë Korenë e Veriut nga përdorimi i teknologjisë së raketave balistike.
Disa orë më parë, Pyongyang kishte thënë se bisedimet e denuklearizimit me Uashingtonin më në fund mund të rinisnin më vonë këtë javë.
Bisedimet janë ndërprerë pasi samiti i Hanoit midis Presidentit të SHBA, Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong-un në shkurt përfundoi pa një marrëveshje.
Ekspertët thanë se testi dhe njoftimi i bisedimeve ishte i qëllimshëm.
“Koreja e Veriut dëshiron ta bëjë pozitën e saj negociuese mjaft të qartë para se të fillojnë bisedimet,” i tha agjensisë së lajmeve AFP Harry Kazianis nga Qendra për Interes Kombëtar në Uashington DC.
Raportet e para erdhën në orët e para të mëngjesit kur autoritetet njoftuan se ishin lëshuar dy raketa, me të paktën një të hedhur në ujërat japoneze.
Më vonë, Sekretari i Përgjithshëm i Kabinetit të Japonisë, Yoshide Suga tha në një konferencë për shtyp se një raketë balistike mund të jetë ndarë në dy para se të binte në ujë.
Ky do të ishte testi i 11-të i raketave nga Koreja e Veriut këtë vit, por autoritetet kanë shprehur shqetësim të veçantë për nivelin dhe aftësitë e dukshme të këtij.
Koreja e Veriut kishte zhvilluar për disa kohë teknologjinë e raketave balistike të lëshuara nga nëndetëse para se të ndalonte të gjitha testimet e raketave me rreze të gjatë.
Këshilli Kombëtar i Sigurisë i Koresë së Jugut shprehu shqetësimin në lidhje me provën dhe tha se po i jepte “peshë mundësisë” që të ishte një raketë balistike e nisur (SLBM), njoftoi agjensia e lajmeve Yonhap e Koresë së Jugut. SLBM-ja e fundit e testuar nga Veriu mendohet të ketë ndodhur në gusht 2016, përpara se Presidenti Trump të merrte detyrën. Dy vjet më vonë Presidenti Trump dhe Kim Jong-un bënë histori duke u bërë presidenti i parë i SHBA dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut që u takuan.
Por, përkundër dy takimeve të mëtejshme ballë për ballë, ka pasur pak përparim drejt ndonjë marrëveshje lidhur me çështjen.