Në librin me titull “Le Chansonnier des grâces: avec la musique gravée des airs nouveau”, botuar në vitin 1830 në Francë, gjejmë, në faqen e tij n° 165, një këngë të rrallë dhe të bukur të marinarëve ilirë, sjellë në gjuhën frënge nga poeti romantik francez, Evariste Boulay – Paty (1804 – 1864).
Këto vargje janë thurur asokohe për gratë ilire, të cilat prisnin në breg kthimin e marinarëve të tyre. Lundrimi i trimave ilirë ka qenë disi i vështirë për shkak të pengesave të ndryshme, megjithatë ata nuk janë dekurajuar.
Madje, tingujt e kësaj kënge për bukuroshet e tyre kanë qenë motivues për të kapërcyer çdo vështirësi. Për më shumë, do të gjeni në vijim këngën e plotë, sjellë ekskluzivisht në shqip nga Aurenc Bebja, Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania”:
Hëna shkëlqen dhe rrëshqet në mesin e yjeve,
Gjiri reflekton kaltërsinë e qiellit të kthjellët;
Dhe flladi i mbrëmjes, i butë në ballin e marinarit,
Nuk fryn më mbi velat tona li të bardhë.
Pisombo! Pisombo! *
Le të përkulemi duke kënduar dhe rremi i gjatë
Të ngrihet hijshëm e të zbresë me ritme të barabarta!
Harmonia e muzgut të tij është bukuria e ujërave.
Të nanurisemi e ta çajmë shkumën me tehun e tij!
Pisombo! Pisombo!
Të lundrojmë në vallen e gëzueshme të vajzave nga Raguza,
Me gërshetat e gjata, lëkurën e bardhë dhe syrin e zi;
I dëgjoj këngët e tyre larg në qetësinë e mbrëmjes;
Por një vonesë e paparashikuar na pengon nga dashuria e tyre.
Pisombo! Pisombo!
Ta sigurojmë të dashurën tonë të ulur në plazh;
Se kënga jonë, duke njoftuar kthimin,
Shtrihet mbi valët ku mbretëron një gjysëm-ditë
E ky refren i ëmbël të fluturojë deri në breg!
Pisombo! Pisombo!
* Marinarët ilirë përsëritnin këtë fjalë kur këndonin gjatë lundrimit, me qëllim për të akorduar lëvizjet e tyre./Nga Aurenc Bebja, Francë