Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Arabinë Saudite, ku është takuar me mbretin dhe princin e këtij vendi në përpjekje për ta shtuar shtrirjen dhe ndikimin rus në Lindje të Mesme.
Liderët e shteteve nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi në fusha të ndryshme.
Putin dhe Salman u paraqitën të buzëqeshur në ceremoninë e nënshkrimit të një vargu marrëveshjesh dhe kontratash për investime, të cilat arrijnë vlerën e miliarda dollarëve.
Këto kontrata kanë të bëjnë me sektorët e hapësirës ajrore, shëndetësisë, teknologjisë dhe kulturës.
Në marrëveshjet e arritura përfshihet edhe forcimi i bashkëpunimit në organizatën “OPEC”, në të cilën bëjnë pjesë vendet prodhuese të naftës dhe gazit. Kështu njoftoi ministri saudit i energjisë, princi Abdulaziz bin Salman.
Rusia nuk është anëtare e kësaj organizate, por ka punuar ngushtë me anëtaret e saj që ta kufizojë prodhimin e naftës dhe t’i rrisë çmimet në tregun botëror pas rënies së madhe të vitit 2014, e cila e kishte goditur ekonominë e Rusisë dhe të Arabisë Saudite, si dy ndër prodhueset më të mëdha të karburanteve në botë.
Për më tepër, sipas deklaratës së qeverisë ruse, Fondi Publik i Arabisë Saudite i ka ndarë dhjetë miliardë dollar për projektet e përbashkëta investuese në Rusi, shkruan “Free Europe”.