Në Triesh të Tuzit, u përurua ditën e djeshmë, busti i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, pranë shkollës fillore që mban emrin e heroit.
Pjesëmarrës në këtë eveniment, veç zyrtarëve vendas, ishin edhe të nga Kosova, Shqipëria, si dhe nga shumë shqiptarë nga diaspora. Me këtë rast, mbajtën fjalën drejtori i shkollës fillore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, në Triesh, Nikollë Dukaj, kryetari i Kuvendit të komunës së Tuzit, Fadil Kajoshaj, drejtori i Arsimit të MZ, Marash Dukaj, ish mësues në këtë shkollë, Tomë Dedivanaj, përfaqësuesi i ministrisë së Kulturës së MZ, përfaqësuesi i Fondit Humanitar Trieshi nga Diaspora, Gjon Gjokaj, akademik Frashër Demaj, si dhe kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj.
Të pranishmit i përshëndeti këshilltari i Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, z. Flamur Gashi, i cili në emër të institucionit të Presidentit Meta, i dha titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” (pas vdekjes), ish mësuesit Gjon Gjekës Lucaj, me motivacion: “Për patriotizmin e treguar gjatë kryengritjeve për pavarësinë e Shqipërisë së Veriut; mësues i nderuar dhe i përkushtuar i gjuhës shqipe, historisë dhe ligjërues i devotshëm i saj, duke u bërë burim frymëzimi për brezat pasardhës”, titull që e pranoi nipi i Gjon Gjekës, Pjetër Lucaj.
Ndërkaq, të pranishmit i argëtuan këngëtarët Nikollë Nikpelaj, Ilir Shaqiri, Fran Lucaj, Toni dhe Shtjefën Ujkaj, Marija Lajçaj, Arton Nikprelaj, si dhe SHKA “Besa”.