MENU
klinika

Nobelisti non grata

Grass, historia e humorit të zi

16.10.2019 - 14:55

       Romancieri shumëdimensional Gunter Grass, nobelist i vitit 1999, i cili vdiq në moshën 87-vjeçare, la një krijimtari të rëndësishme letrare, sikundër edhe një imazh të ndërgjegjes morale të Gjermanisë, njollosur nga rrëfimet e tij të vona./Konica.al

Gunter Grass lindi në 16 tetor 1927 në Danzig-Langfuhr, në familje me kushte të vështira nga prindër polako-gjermanë. Pas shërbimit ushtarak dhe burgosjes nga forcat amerikane në vitet 1944-1946, ai filloi punë si fermer dhe minator, njëherazi studioi arte në Dyseldorf dhe Berlin. Në vitin 1956-1959 e fitonte jetesën si skulptor, artist grafist dhe shkrimtar në Paris dhe, më pas, në Berlin. Në Paris u takua me Celan, Xhejms Xhojs, si dhe përkrahësit e romanit të ri, veçse ai u influencua kryesisht nga letërsia baroke.

Karrierën letrare e filloi si poet dhe si dramaturg, ndërsa suksesi dhe fama i erdhi në vitin 1959 falë kryeveprës “Tamburi”, një roman alegorik dhe plot aventura, një panoramë satirike e realitetit gjerman gjatë gjysmës së parë të këtij shekulli, e cila arriti një sukses ndërkombëtar. “Tamburi”, së bashku me librat “Macja dhe miu” (1961) e “Vitet e qenit” (1963) përbëjnë “Trilogjia e Danzig”-ut. Në vitin 1955 Grass u bë anëtar i “Grupit 47” një grup kritik shoqëror

 

Në vitet 1960 Grass u përfshi intensivisht në politikë, duke marrë pjesë në fushatat elektorale në emër të Partisë Social-Demokrate dhe Willy Brandt-it. Shkroi “Anestezi lokale”, “Ditari i një kërmilli” dhe “tragjedinë e tij gjermane” “Plebejtë provojnë kryengritjen”, botoi fjalime dhe ese politike ku mbrojti Gjermaninë, i çliruar nga ideologjitë fanatike dhe totalitare.

Debat dhe kritika të ashpra ngjalli romani i “Ein weites Feld” (“Një fushë e gjerë”), i cili përshkruan vitet e rënies së komunizmit dhe rënies së murit të Berlinit. Në “Shekulli im” ai paraqet historinë e shekullit të kaluar nga një këndvështrim personal, vit pas viti. Si një grafist, Grass shpesh ka qenë përgjegjës për kopertinat dhe ilustrimet e veprave të tij.

Grass vijoi të botonte romane të tjerë të suksesshëm si: “Ditari i një kërmilli” (1972), “Turbot” (1977), “Një takim në Westphalia” (1979) ose “Miushja” (1985), ndërsa në vitin 1999, merr çmimin “Nobel” për Letërsi  “sepse ka portretizuar fytyrën e harruar të Historisë në fabula me humor të zi”.

Rrëfimi i tij, në vitin 2006, për anëtarësimin e tij në Waffen SS, pak para botimit të romanit të të fundit autobiografik “Duke qëruar qepën”, çoi në kritika të ashpra, zbulesë e cila vuri në dyshim moralin e Gunter Grassit, të cilin ai me inteligjencë e kishte distiluar përmes romaneve “Me hapin e gaforres”, botuar në 2002, libër që trajton problemet e kujtesës kolektive. Prej atij momenti shkrimtari njoftoi në vitin 2014 se do të ndalonte së shkruari, për shkak të problemeve shëndetësore. Larg polemikës, mbetet një punë kryesisht humaniste.

Shkrimtari, babai i katër fëmijëve, i cili jetoi në Lybek (në Gjermaninë veriore), ndezi një debat të nxehtë në vitin 2012, duke botuar një poezi në shtypin gjerman që kritikonte ashpër Izraelin dhe akuzonte vendin për “kërcënimin e paqes botërore”. Më pas, shteti hebraik e shpalli person non grata.

 

Grass ishte President i Akademisë der Künste në Berlin 1983-1986, aktiv në kuadër të Kompanisë Botuese të Autorëve gjermanë dhe PEN. Është vlerësuar me një numër të madh çmimesh, ndër ta “Preis der Gruppe 47”, 1958, “Libri më i mirë i huaj”, 1962, etj. Shkimtari përdor një gjuhë të re, të gjallë, shprehëse, një Selin gjerman. Në artet dhe letrat bashkëkohore arrti të fitonte si respektin e kritikës, ashtu edhe suksesin tregtar në çdo zhanër dhe mjet artistik që ai ndërmori. Romancier, poet, eseist, dramaturg, skulptor dhe artist grafik, Grass u shfaq në skenën letrare ndërkombëtare në vitin 1958 me “Tamburi”. Pa dyshim që Gunter Grass me mënyrën e tij autoritare dhe gjithnjë e më kokëfortë në pleqëri, ka kontribuar vetë për krijimin e një imazhi të tillë. Megjithatë kjo nuk ndryshon asgjë në faktin, që Gunter Grass për dekada me radhë bënte pjesë mes autorëve gjermanë, që lëviznin në nivelin botëror të letërsisë. Shkrimtarë të famshëm si Salman Rushdie, John Irving dhe të tjerë janë frymëzuar nga Grass. Gunter Grass gjatë gjithë jetës së tij mbeti një idhull jo vetëm për brezin e ri të kolegëve të tij shkrimtarë. Uwe Tellkamp e ka cilësuar atë si “potenca më e fuqishme tregimtare në letërsinë gjermane”, Moritz Rinke e quante atë thjesht “ndoshta dinozauri më interesant dhe më i shumanshëm”./Konica.al

 

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen