Peter Handke, shkrimtari laureat i Nobelit në letërsi për vitin 2019, është shprehur se nuk do t’u përgjigjet më, asnjë prej pyetjeve të gazetarëve. Kjo, pas lumit të kritikave për mbështetjen e ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviç./Konica.al
Pas triumfit të javës së kaluar, mësohet se Handke e anuloi konferencën për shtypin, në vendlindjen e tij.
Peter Handke, prej kohe qytetar parizian, raportohet të ketë humbur durimin, gjatë takimit të ditës së martë, në Grifen. Gazetarët dhe politikanët lokalë, që e pritën, e kanë pyetur shkrimtarin lidhur me akuzat se ai ka injoruar krimet e Serbisë, gjatë luftës në ish-Jugosllavi.
“Çdokush që më pyet si ju dhe më drejtohet në këtë mënyerë, duket se nuk ka lexuar apo nuk di asgjë se çfarë kam shkruar”, – ka thënë Handke, sipas DPA.
“Unë jam shkrimtar… Si i tillë, kam lidhje me Tolstoin, me Homerin, me Servantesin. Më lini të qetë dhe mos më bëni të tilla pyetje”, – tha Handke, duke përjashtuar kështu, mundësinë për intervista të mëtejshme.
Vendimi i Akademisë suedeze, për t’i dhënë Nobelin në letërsi, autorit Peter Handkes, përfshinë në kritikat e panumërta të gjithë Ballkanin.
Ndërsa, Akademia e Shkencave e Kosovës, ka kërkuar menjëherë revokimin e çmimit. Handke, tashmë nobelist, mes tjerash kujtohet për pjesëmarrjen në ceremoninë mortore të ish-udhëheqësit serb, Millosheviç, ku edhe ka mbajtur një fjalim në mbështetje të tij.