Humanistja shqiptare që nuk e kurseu jetën në ndihmë të më të varfërve dhe të pamundurve në këtë botë, është vlerësuar me Nobelin për paqe, më 17 tetor të vitit 1979.
Fjala e saj para jurisë së Nobelit, 40 vjet më parë, siç ka treguar vetë Nënë Tereza, bëri një mrekulli në Oslo, ku të gjithë të pranishmit u lutën për paqe në botë. Nënë Tereza, ka deklaruar gjithmonë me krenari, se me gjak është shqiptare.
Fjalimi i Nënë Terezës, gjatë ceremonisë si fituese e çmimit “Nobel”:
Duhet të them, se pranoj të shkoj në ceremoni të ndryshme publike, vetëm sepse më krijohet mundësia t’u flas për Jezusin, njerëzve të cilët, nuk dihet në se do të kishin ndonjë rast tjetër për të dëgjuar fjalën e Zotit. Njëherë kam thënë edhe se, e kam më të lehtë të mjekoj një të gërbulur, sesa të përgjigjem në një intervistë.
Në Oslo ndodhi një mrekulli e vërtetë: u lutën të gjithë, në një vend ku s’ishte dëgjuar kurrë ndonjë lutje. Ishim mbledhur në një sallë për dorëzimin e çmimit e, sapo m’u dha mundësia të flas, thashë: Meqë jemi mbledhur të gjithë për të falënderuar Zotin e Nobelit për Paqen, mendoj se do të ishte vërtet e bukur, të luteshim për paqen. E të gjithë së bashku, nisëm lutjen e Shën Françeskut: “Zot, më bëj lajmëtar të paqes sate”, teksti i së cilës u qe shpërndarë të pranishmëve. Ishte vërtet tronditëse. Prekëse. E mrekullueshme: luteshin të gjithë, ndonëse siç dihet, numri i katolikëve në Norvegji është shumë i vogël.
Më pas, fola për abortin e thashë: Po kremtojmë vitin ndërkombëtar të fëmijëve. Sot, po ju flas për fëmijën që nuk ka lindur ende. Po ju flas në emër të fëmijës, që nuk e ka parë ende dritën e diellit. Të abortosh, do të thotë të dënosh me vdekje një fëmijë: të mos duash që fëmija të jetojë, do të thotë ta vrasësh. Sot për sot, arma më e rrezikshme kundër paqes, është aborti. Shumëkush interesohet për fëmijët e Indisë dhe të Afrikës, ku vdesin me mijëra, nga mungesa e ushqimit. Por, në vende të tjera, miliona fëmijë i mbysin vetë prindërit e tyre. Nëse një nënë mbyt fëmijën e vet, pse u dashka të çuditemi, kur njerëzit ia marrin shpirtin njëri-tjetrit?!..
Duke kaluar nëpër Romë, gjatë udhëtimit të kthimit, Ati i Shenjtë Papë, më tha: Mos harro të flasësh si në Oslo, kudo që të shkosh!”, – ka treguar Nënë Tereza, për atë ditë të veçantë në jetën e saj.
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, njohur si Nënë Tereza, lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 dhe vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkutë (Indi). Humanistja e njohur shqiptare, fituese e Nobelit për Paqen, më 19 tetor të vitit 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani.
Në vitin 2016, Papa Françesku e shpalli në sheshin “Shën Pjetër”, themeluesen e Urdhrit “Misionaret e Bamirësisë” dhe fituesen e çmimit Nobel për Paqen, në vitin 1979, shenjtore për besimtarët e fesë katolike.