MENU
klinika

"Gjeniu i braktisur"

Hassam; Obama zgjodhi pikturën e famshme për Zyrën Ovale

17.10.2019 - 10:54

      Një nga piktorët më të mëdhenj impresionistë amerikanë, Frederik Çajld Hasam (1859-1935), prodhoi mbi 3 000 tablo në vaj, akuarel, zinkografi dhe litografi. Pionier i impresionizmit amerikan, ndoshta një nga piktorët më të devotshëm, më prodhuesi dhe më i suksesshmi, lindi në Dorçester të Masaçusetit. Me një aftësi të jashtëzakonshme për të kapur si gjallërinë e qyteteve moderne, ashtu dhe hijeshinë e perëndimeve, në fund të shekullit Hasam u bë një nga kronistët më të rëndësishëm të Nju Jork Sitit./Konica.al

Në ditët tona, ndoshta ai është i mirënjohur për tablotë e flamujve të varur në Fifth Avenue gjatë Luftës së Parë Botërore. Punimet e tij më të mira shfaqin kombinimin e shkëlqyer të ngjyrave me dritën dhe pasqyrojnë besimin e tij (deklaruar në 1892) se “njeriu që do të përçohet në breza pasardhësish, është njeriu që pikturon kohën e tij dhe skenat e jetës së përditshme përreth tij”.

 

Talenti i tij për pikturën spikati që në fillore. Meqenëse ishte një skicograf i zoti, djaloshi Hasam arriti të krijonte cinkografi për letra me kokë dhe gazeta përpara se të bëhej një ilustrues i pavarur me studion e vet. I specializuar në ilustrime për tregimet e fëmijëve në revista si “Harper’s Weekly” dhe “Scribner’s Monthly”, Në 1883 Hasam hapi i vetëm ekspozitën e tij të parë në Boston. Ndikuar nga shkolla Barbizon, një rrymë arti për Realizëm në kontekstin e rrymës Romantike, në peizazhet e veta Hasam u përqendrua në përdorimin e atmosferës dhe dritës. Pasi vendosi reputacionin e tij në Boston në vitet 1882-1886, Hasam studioi në Paris nga viti 1886-1889. Sa i përket tërheqjes që pati ndaj impresionizmit farncez, atje ai ishte i pazakontë mes bashkëkohësve të tij amerikanë, kohë kur sapo kishte filluar të gjente përkrahje nga  koleksionistët amerikanë. Në 1889 u kthye në Shtetet e Bashkuara dhe gjatë gjithë jetës banoi në Nju Jork. Shumë prej tablove që mbajnë firmën e tij përfshijnë pamje të Bostonit, Parisit dhe Nju Jorkut, tre qendra urbane, vendet dhe kënaqësitë e të cilave ai arriti t’i kapte me dashuri dhe origjinalitet. Tablotë “Winter in Union Square” dhe “Spring Morning in the Heart of the City”, shpalosin seksione të gjalla të Nju Jorkut gjatë dekadës së parë të veprimtarisë së Hasamit atje.

 

Edhe pse Hasam ishte i pazakontë në mesin e impresionistëve amerikanë, sa i përket përshkrimeve të shpeshta të qyteteve në rritje, ai kaloi periudha të gjata në fshat, ku arriti të gjente çlodhjen që i nevojitej nga presionet urbane, si dhe frymëzimin për të tjera piktura të rëndësishme. Portretet e shumta të Hasamit, për kopshtet e modës së vjetër, brigjet shkëmbore dhe shkëlqimin e rrezeve të diellit të ishujve Shoals, Maine, janë ndër veprat e tij më të mira. Midis tyre është edhe peizazhi i “Coast Scene, Isles of Shoals”, kanavacë e parë e artistit që u klasifikua në koleksionin e Muzeut Metropolitan. Peizazhet e Njuportit, Portsmauthit, Olld Lim, Glouster dhe periferi të tjera të Nju Igllëndit ilustrojnë gjithashtu vlerësimin e vonë të shekullit të nëntëmbëdhjetë të rajonit piktoresk me erë të fortë. Në vitin 1919, Hasam dhe gruaja e tij blenë një shtëpi të periudhës koloniale në East Hampton, në degëzimin jugor të Long Island, Nju Jork, dhe e bënë atë selinë e tyre verore./Konica.al

Hasam krijoi më shumë se 2 000 piktura në vaj, pastele dhe ilustrime, ndërsa pas vitit 1912 më shumë se 400 gravura dhe tablo të tjera. Me këto vepra arti ai u mirëprit nga kritika, por pati edhe sukses tregtar.

 

 

Duke përdorur një risi të paletës, Hasam pikturoi dy versione të “Grand Prix Day” në vitin 1887. I frymëzuar nga impresionistët francezë, ai pikturoi ngjyra më të buta, më të shpërndara, plot dritë, me goditje pa furçë. Disa nga punët e tij më të mira datojnë në vitet e fundit të jetës.

“Avenue in the Rain”, një nga veprat më të famshme të Hasamit nga seria e flamurit është përzgjedhur nga Barack Obama, për t’u varur në Zyrën Ovale.

 

Gjatë viteve të fundit u nderua me Medaljen e Artë të Nderit, ndër çmimet e tjera. Vdiq paqësisht në East Hampton në moshën 75-vjeç, me trashëgimi një “gjeni i braktisur” nga një kohë e kaluar. Në vitet 1960 dhe 1970, me ringjalljen e interesit për impresionizmin, krijimtaria e tij kapi çmime stratosferike.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Botim në italisht dhe bullgarisht

“Epika e yjeve të mëngjesit”


Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen