Çel siparin ditën e sotme, në Ferizaj, festivali më prestigjioz për teatrin. Festivali i 49-të, pret tashmë sipas traditës qindra aktorë, të cilët kanë kënaqësinë të ndjanë me publikun e gjerë me surprizat e radhës.
“Shumë zhurmë për asgjë”, me regji nga Zana Hoxha, “Një letër e humbur” me regji nga Kushtrim Bekteshi, “Zona e pritjes” me regji nga Fatos Berisha, “UN Inspektori” me regji nga Erson Zymberi, “Erdhi Godoja” me regji nga Shkëlzen Berisha, “Ditë vere” me regji nga Naser Shatrolli dhe “Kanuni i gruas” me regji nga Arlinda Morina, janë shfaqjet që premtojnë një lojë brilante të aktorëve, që janë përgatitur për këtë edicion të rëndësishëm kulturor.
Drejtori i teatrit “Adriana”, Fatmir Hyseni bëri të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet, për fillimin e mbarë të edicionit të 49-të, të Festivalit të Teatrove dhe se trupat e aktorëve nga pothuajse e gjithë gjeografia shqiptare duke nisur nga Gjakova, Tetova, Shkodra, Gjilani, Podujeva, Prishtina, për të përfunduar te mikpritësi, qyteti i Ferizajt, janë gati për t’i dhuruar publikut, momente të veçanta artistike dhe cilësi të lartë loje interpretative.
Më tej, ai bëri të ditur edhe jurinë e këtij festivali, që përbëhet nga emra të dëshmuar të artit skenik si Haqif Mulliqi, Shengyl Ismajli dhe Mevlan Saraçi.
Organizimi i këtij edicioni për teatrin, nuk kufizohet vetëm në shfaqjet, si pjesë të konkurrencës zyrtare, por edhe në aktivitete përcjellëse, ku për këtë edicion është programuar promovimi i librit të të ndjerit, profesorit universitar, Bekim Lumi, kontributit të tij të veçantë për artin e kulturën kombëtare.