Cristiano Ronaldo u akuzua nga një grua amerikane (Kathryn Mayorga) se ishte përdhunuar një dekadë më parë në Las Vegas, ku portugezi kishte shkuar të dëfrente në një bar.
CR7 nuk u përball me akuza penale për incidentin në SHBA, por “The Sun” ka mundur të zbulojë se ADN-ja e tij ishte krahasuar me provat në këtë rast.
Detektivi i Las Vegasit, Jeffrey Guyer, shkroi: “E kemi ADN dhe përputhet plotësisht”. Tani, zonja Mayorga, 34 vjeçe, po e ndjek si çështje civile padinë kundër Ronaldos, duke kërkuar dëmshpërblim prej 165.000 stërlinash.
Ylli i Juventusit, i cili javën e kaluar u bë njëri nga gjashtë futbollistët e vetëm, që shënon 700 gola në karrierë, u takua me zonjën Mayorga në qershor 2009, në “Palms Casino Resort”, ku ajo punonte si kamariere në local dhe më pas ndodhi përdhunimi, sipas saj.
Mayorga refuzoi ta ndiqte çështjen penalisht dhe nënshkroi një marrëveshje moszbulimi të emrit në janar 2010. Ajo pranoi një ofertë prej 290.000 stërlinash, që i mori në këmbim të heshtjes. Por, shtatorin e kaluar, zonja Mayorga e prishi marrëveshjen, duke ia treguar historinë e saj “Der Spiegel”.
Më 2 tetor, policia e Las Vegas e rihapi çështjen. Të nesërmen, babai i katër fëmijëve, Ronaldo, reagoi përmes Instagram-it, duke i quajtur “lajme të rreme”. Hetimi policor zgjati 11 muaj, para se t’ua kalonin provat prokurorëve të Nevadës, të cilët vendosën në korrik të mos e vazhdojnë atë.
SHËNIM: Të gjitha rezultatet e ndeshjeve kryesore të ditës i gjeni në kohë reale, duke klikuar Konica.al në ballinën e rubrikës së sportit