MENU
klinika

Mes qiellit e tokës

Muzikanti i famshëm, për pak sa nuk u bë prift…

22.10.2019 - 13:13

      Një nga kompozitorët dhe pianistët më të famshëm të shekullit XIX, erdhi në jetë për të mbetur një ndër pianistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Franz Liszt, në botën e muzikës hyri kur ishte vetëm 9-vjeç, duke studiuar piano. Një krenari virtuoziteti që kapërtheu kufijtë e vendlindjes, Hungarisë. Jetoi në qytetet më në zë të Evropës, si Vjena dhe Parisi. Fitoi kudo simpatinë e admirimin e mbretërve e të personaliteteve më në zë të kohës./Konica.al

Franz Liszt lindi më 22 tetor 1811 në Hungari dhe vdiq më 31 korrik 1886 në Bayreuth. Mik i Berliozit, Shopenit, Shumanit, Borodine dhe Vagner, ai është një nga kryesuesit e rrymës romantike, duke lënë pas një vepër të frytshme dhe të larmishme. Ishte Liszt që shpiku zhanrin e poemës simfonike. I ndikuar thellë nga Simfonia fantastike e Berliozit (“Episode nga jeta e një artisti”), ai thith prej saj shpirtin dhe teorizon poemën simfonike. Arrin të krijojë një kompozim orkestral, zakonisht me një lëvizje të vetme, të formës së lirë, me tema që trajtohen në mënyrë ciklike: nga tema kryesore arrin të nxjerrë motive dytësore, të cilat u nënshtrohen pareshtur metamorfozave ekspresive. Hulumtimi i Liszt është në përputhje me frymën e operës së vazhdueshme të Vagnerit, e cila paraprin idetë e tij mbi muzikën e së ardhmes. “Ambicia ime e vetme si muzikant ishte dhe do të jetë hedhja e shtizës sime në hapësirat e papërcaktuara të së ardhmes”, – shprehet.

Jeta e kompozitorit të mirënjohur hungarez shënoi sukses të hershëm. Qëndroi në Paris në vitet 1823-1835, në kryeqytetin ku ai fitoi famën ndërkombëtare si pianist me virtuozitet “transcendent”, ku ra në dashuri me konteshën Marie d’Agoult, mikja e George Sand.

 

 

Franz Liszt kishte duar mahnitëse, të cilat lëviznin me një art të pashoq mbi tastierën e pianos. Askush nuk mund t’ua kalonte këtyre duarve. Gishtrinjtë e hollë, të lakueshëm, fluturonin mbi tastierë. Duke qenë tepër të gjatë, bënin mrekulli. Të dukej sikur tingëllonin të gjitha tastet përnjëherësh, sikur eteri shkulmon prej lojës së një energjie.

Një nga dëshirat e Franz Liszt ishte të bëhej prift, madje në testament shprehte keqardhjen që s’kishte arritur të përmbushte thirrjen e tij. Sigurisht, në vitet e fundit të jetës, ai u bë Abati Liszt, duke marrë urdhra të vogla. Prapësepraë, ai do të kishte dashur që të kridhej plotësisht në devotshmërinë ndaj Zotit dhe të jetonte një jetë shembullore. Sidoqoftë, shembullore e pati, por në një fushë tjetër: atë të muzikës. Atij i detyrohemi shpikjen e recitalit. I detyrohemi teknika të reja pianistike. I detyrohemi hapjen e një muzike rendore. Në një farë mënyre, i detyrohemi edhe për Vagnerin, të cilin e ndihmoi dhe e përkrahu pa asnjë përfitim.

Disa nga kryeveprat e tij mbeten:

“La Campanella”

Nëse ka një kompozim të Liszt, që duhet ta dëgjojmë me patjetër, kjo është… Po pse është kaq e famshme kjo pjesë e vogël për piano? Përkundër thjeshtësisë së temës, “Campanella”, është e vështirë për t’u ekzekutuar. Gishtat lëvizin aq shpejt, sa syri nuk i ndjek dot, duart kërcejnë nga njëri cep i tastjerës në tjetrin përpara se të shpalosen, si tentakulat, në fund.

 

“Totentanz” (ose Kërcimi makabër)

Franz Liszt është pianist, por edhe dirigjent. Nuk është çudi që ai kërkon ta shoqërojë instrumentin e tij të preferuar me formacionet muzikore më spektakolare: orkestrën simfonike.

Nga ky bashkim kanë lindur shtatë vepra të shkëlqyera për piano dhe orkestër, njëra veçanarisht e jashtëzakonshme: Totentanz, frymëzuar nga soditja afreskut të Francesco Traini, Triumfi i Vdekjes.

 

“O lieb, so lang du lieben kanns”

Liszt njihet kryesisht për muzikën instrumentale, disi më pak për veprat vokale. Megjithatë, ai kompozoi një katalog të tërë lirikash, duke përfshirë 81 liede (poezi të kënduara) mbi tekstet e Viktor Hygosë ose Gëtes, ndër të tjera. Jeta e kompozitorit është gjithashtu plot romancë… Tri historitë e tij të mëdha të dashurisë (dy Caroline dhe një Marie) patën një ndikim të madh në rrjedhën e krijimtarisë. Veçse pasionet e zemrës nuk përfaqësohen edhe aq në kompozimet e tij, sesa ato të shpirtit, përkundër disa përjashtimeve si: O lieb, pra lang le lieben kannst (“Dashuro, për aq kohë sa të jetë e mundur”).

 

“Lojërat e ujit në Villa d’Este”

Vitet e pelegrinazhit tek Liszt pasqyrojnë udhëtimet e shumta të kompozitorit nëpër Evropë. Dy koleksionet e para i kushtohen Zvicrës dhe Italisë, një vend që ai e zbulon përkrah shoqes së tij Marie d’Agoult, në vitet 1830. Ndërsa për libretin e tretë, të hartuar pas 1867, ai përmban një nga pjesët më të famshme për piano: Lojërat e ujit në Villa d’Este.

 

“Simfonia e Pestë e Bethovenit”

Nuk mund të flasim për Liszt pa përmendur transkriptimet e tij për piano. Një mbrojtës i flaktë i “muzikës së të ardhmes”, nuk është më pak i frymëzuar dhe i admiruar nga pararendësit, në veçanti Bethoveni. Liszt ritranskripton në piano veprat që ai vlerëson dhe që e frymëzojnë atë, për t’i interpretuar ato më vonë gjatë koncerteve të tij. Ai ka shkruar afro 300 aranzhime, që përfaqëson gjysmën e punës së tij totale. Disa prej tyre janë të lira, të përpunuara, ndërsa të tjerat janë plotësisht besnike ndaj partiturave origjinale, duke rishkruar madje edhe nuancën më të vogël të veprës origjinale.

 

 

Në 1863 ai u tërhoq në një manastir në Monte Mario, ku ndër të tjerë e vizitoi edhe Papa Piu i IX. Është për t’u çuditur kur një njeri, në kulmin e famës, heq dorë nga gjithçka dhe nis të jetojë në një mënyrë kaq të thjeshtë. E për më tepër, shkon e zgjedh urdhërin rregulltar të varfërisë e të thjeshtësisë, pikërisht ai, që kishte bërë një karrierë të shkëlqyer, e cila e kishte mbuluar me lavdi e famë. Gjithsesi, ai braktisi gjithçka, veç jo muzikën. Vijoi të udhëtojë, duke jetuar sa në Romë, aq në qytete të tjera të mëdha, ku nuk i mungoi kurrë suksesi i kohëve të para. Pa hequr dorë nga koncertet, iu kushtua edhe formimit të pianistëve të rinj. Por, duke nisur nga çasti i përkushtimit, shkroi kryesisht muzikë kishtare. Një meshë, këngë të krishtera, meditime fetare, dy pjesë për piano për nder të Shën Françeskut të Asizit e të Shën Françeskut të Paolës…

Liszt nuk ishte vetëm pianist, por edhe kompozitor. Kompozoi kryesisht pjesë për piano, por edhe për orkestër e këngëtarë. Mbetet një nga gjenitë e romantizmit, lëvizje artistike që, duke iu kundërvënë klasicizmit, krijoi një aradhë muzikantësh, poetësh, artistësh në përgjithësi, që nisën t’i shprehnin lirisht ndjenjat e tyre në art. Prandaj muzika e Franz Liszt të mahnit me emocionet tingëllore, të cilat rrallëherë kanë dalë nga tastiera e pianos deri asokohe. Më 1840, ai u konsiderua nga disa ekpertë si pianisti më i madh i të gjitha kohërave.

Pas udhëtimeve të mëtejshme nëpër koncerte në vitin 1865 Liszt u prit nga Papa personalisht, i cili e shuguroi atë sipas urdhërit të ulët, duke e shpallur një klerik, jo sipas celibatit./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Trishtimi vallëzues

“Tango” e Jorge Luis Borges


Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen