Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i BE-së, po lufton edhe një herë me planet e shpenzimeve të Italisë.
Institucioni me qendër në Bruksel, i cili është përgjegjës për të mbikëqyrur nëse vendet evropiane po përmbushin objektivat fiskalë, i dërgoi një letër Romës të martën duke kërkuar më shumë sqarime lidhur me planin e buxhetit të vendit për vitin 2020.
BE është e shqetësuar posaçërisht me bilancin strukturor të vendit, i cili përjashton të ardhurat dhe shpenzimet e njëhershme.
Projekt-buxheti “planifikon një ndryshim në bilancin strukturor në vitin 2020 duke arritur në një përkeqësim me 0.1% të PBB-së (prodhimi i brendshëm bruto)”, tha Komisioni në letër.
Qeveria italiane kishte rënë dakord më parë të përmirësonte bilancin e saj strukturor me 0.6% të PBB-së së saj në vitin 2020.
Komisioni gjithashtu pyeti Italinë pse shpenzimet e saj fillestare neto, që nuk përfshijnë pagesa të interesit, pritet të rriten me 1.9% vitin e ardhshëm, në vend që të bien me 0.1%.
Kjo nuk është hera e parë që BE ka ngritur shqetësime lidhur me politikën fiskale të Italisë. Me qeverinë e mëparshme italiane, e cila erdhi në pushtet në qershor 2018, Komisioni Evropian kërkoi dy herë përgjegjësi më të fortë fiskale.
Konflikti i gjatë midis Romës dhe Brukselit gjatë këtyre dy periudhave shkaktoi trazira për tregun ekonomik dhe një nxitje në rendimentet e bonove italiane.
Italia ndryshoi qeverinë gjatë verës dhe një udhëheqje e re u betua në shtator. Koalicioni aktual është formuar tani nga Lëvizja Pesë Yje (M5S), e cila promovon nisma për përfitimet sociale për qytetarët, dhe Partia Demokratike (PD), i cili kritikon si sindikatat ashtu edhe industrinë bankare.
Komisioni Evropian gjithashtu ka ngritur shqetësime në lidhje me planet fiskale të Francës, Spanjës, Belgjikës Portugali dhe Finlandës.
Qeveria franceze gjithashtu është kërkuar të sqarojë pse projekt-buxheti i saj për vitin 2020 nuk parashikon një përmirësim prej 0.6% të produktit të saj të brendshëm bruto në bilancin e tij strukturor, siç ishte rënë dakord edhe më parë. Finlanda gjithashtu është pyetur në lidhje me rritjen e shpenzimeve të saj publike. Në rastin e Portugalisë, Spanjës dhe Belgjikës, këto vende nuk paraqitën projekt-buxhete të kompletuara për vitin 2020 për shkak të ndryshimeve në qeveri.
Nga CNBC