Xhon Loku(John Locke) ka qenë një filozof dhe mjek britanik.
Konsiderohet babai i liberalizmit klasik, i empirizmit modern dhe një nga paraprirësit më me ndikim të iluminizmit dhe kriticizmit. Ai paraqet një figurë intriguese në historinë e filozofisë politike, madhështia e ekspozitës te së cilit dhe gjerësia e veprimtarisë shkencore mbetet thellësisht me ndikim.
Ai lindi më 29 gusht 1632 në Vrington, në rrethinat e Bristolit.
Pasi ndoqi një formim klasik dhe filologjik në Westerminster School të Londrës, studioi mes të tjerash filozofinë dhe shkencat e natyrës në Oksford, pastaj mjekësinë. Duke filluar nga viti 1662, dha mësim filozofinë, retorikën dhe greqishten. Loku u dha me pasion gjithashtu ndaj shkencave të reja të natyrës. Më 1667, u vendos në Londër, si mjek dhe sekretar i Entoni Eshli Kuperit, konti i ardhshëm i Shaftsbërit. Nën ndikimin e Kuperit dhe të vetë përvojave të tij në jetën politike, Loku braktisi pozicionet e tij konservatore, për t’u bërë ithtar i një shteti kushtetues. Ai jetoi në Francë nga viti 1675 deri më 1679, pastaj u kthye në Londër, më 1689. Pas kthimit në Angli, Lokut iu propozua shumë herë nga Uiliami III një post qeveritar, që ai nuk e pranoi asnjëherë, duke nxjerrë si shkak arsyet shëndetësore.
Loku vdiq më 28 tetor 1704 në vilën e fshatit Wuts, pranë Londrës, ku kishte kaluar vitet e fundit të jetës.
Xhon Loku mori pjesë aktive në jetën politike angleze që në fillim të jetës së tij. Ai u fut shumë shpejt në rrethin e Entoni Eshli Kuperit, konti i parë i ardhshëm i Shaftsbërit dhe shef i opozitës ndaj planeve absolutiste të dinastisë Stjuart. Me t’u përmbysur kjo dinasti, Loku u kthye triumfalisht nga Holanda, ku kishte kaluar disa vite mërgimi. Atëherë shpalosi një veprimtari të dendur politike dhe shkencore dhe mundi më në fund të botonte veprat e tij kryesore: Dy traktate mbi qeverisjen civile dhe Sprovë lidhur me gjykimm njerëzor. Pozita e tij e dukshme në jetën publike ndihmoi që këto vepra të kishin ndikim të madh deri në shekullin XVIII, si në Angli, ashtu dhe në gjirin e Republikës Ndërkombëtare të Letrave. Ato u bënë tekste bazë për iluministët.
Në shkrimet e tij politike, ku më të rëndësishmet qenë Traktatet, bëhej fjalë për të themeluar një monarki kushtetuese të kontrolluar nga Parlamenti, që të siguronte lirinë ekonomike dhe sigurinë e qytetarëve. Në këtë mënyrë ai u kthye te teoria e “kontratës shoqërore”, të formuluar për herë të parë nga Tomas Hobsi. Në përcaktimin e së drejtës natyrore, Loku shkon më larg se Hobsi, që shihte te njeriu veçse një makinë për të riprodhuar vetveten: të gjithë njerëzit janë nga natyra të barabartë dhe të lirë, dhe kanë të drejtë të mbrojnë jetën e tyre, shëndetin e tyre, lirinë e tyre dhe pasuritë e tyre; por ata nuk kanë të drejtë as t’ua heqin dhe as t’ua pakësojnë këto të drejta të tjerëve.
Për Lokun, njeriu nuk është më një qenie, nga natyra, egoiste dhe e ashpër, por një subjekt etik që, në kërkim të lumturisë së tij, ka gjithashtu parasysh lumturinë e botës së përtejme dhe që, si pasojë, sillet në mënyrë morale. Megjithatë mundet, si qenie morale, të imponojë të drejtën e tij përmes forcës. Në teoritë e tij mbi marrëdhëniet midis pronës, punës dhe parasë, Loku del si një pararendës i ekonomisë politike moderne, siç do të përpunohej nga Adam Smithi.
Idetë e tij mbeten disi të vlefshme edhe sot. Ai paraqet një figurë intriguese në historinë e filozofisë politike, madhështia e ekspozitës te së cilit dhe gjerësia e veprimtarisë shkencore mbetet thellësisht me ndikim.
Disa nga aforizmat më të famshme të tij janë:
– Ajo që ju shqetëson, ju zotëron.
– Të gjithë njerëzit, duke qenë të gjithë të barabartë dhe të pavarur, askush nuk duhet të dëmtojë një jetën e një tjetri, shëndetin, lirinë ose pasurinë.
– Njohuritë e njeriut nuk mund të shkojnë përtej përvojës së tij.
– Unë kam menduar gjithmonë veprimet e njerëzve si interpretuesit më të mirë të mendimeve të tyre.
– Mendimet e reja janë gjithmonë dyshuese, dhe zakonisht kundërshtohen, pa asnjë arsye tjetër, por sepse ato nuk janë të zakonshme.
– Një mendje e shëndoshë në një trup të shëndoshë, është një përshkrim i shkurtër por i plotë i një gjendjeje të lumtur në këtë botë.
– E gjithë pasuria është produkt i punës.
– Ne jemi si kameleonët, marrim ngjyrë dhe ngjyrën e karakterit tonë moral, nga ata që janë përreth nesh.
– Logjika është anatomia e mendimeve.