MENU
klinika

Profil

Fridrih Niçe, i adhuruar e i urryer në të njëjtën kohë

24.10.2019 - 20:40

       Si një nga filozofët më të shquar gjermanë të shek. të 19, Niçe ka qenë kritik i ashpër i krishtërimit, i idealizmit gjerman, i feminizmit dhe i modernizmit në përgjithësi. Ai konsiderohet si një mjeshtër i vërtetë i aforizmave filozofike të krijuara në formë eksperimentale. Fridrih Niçe (Friedrich Wilhem Nietzsche) lindi më 15 tetor 1844 e vdiq më 25 gusht 1900.

Për këtë arsye, ai është urryer, adhuruar, keqinterpretuar dhe ndoshta mbetet edhe sot e kësaj dite filozofi më i vështirë për t’u kuptuar.

Niçe ka lindur me 15 tetor të vitit 1844në Ryken të Lajpcigut, në Saksoni. Ai u rrit në gjirin e një familjeje protestante. Ai studioi filozofi në Universitetin e Lajpcigut ku do të njihej me veprat e Shopenhaurit, të cilat do të përbënin pikënisjen e frymëzimit të tij filozofik. Në vitin 1865, në moshën 24 vjeçare, Niçe emërohet profesor në Universitetin e Bazelit dhe merr nënshtetësinë zviceriane. Në vitin 1870 Nietzsche shërbeu si asistent mjekësor në Luftën Franko-Prusiane ku njohu nga afër traumat dhe mjerimin njerëzor, ku për më tepër u sëmur edhe vetë nga dizanteriadhe difteria. Pasojat e këtyre sëmundjeve ai i vuajti gjatë gjithë jetës. Pas rikthimit në Bazel, në vend që të pushonte, nisi të shkruajë pambarimisht, duke shfrytëzuar në maksimum fuqinë e tij mendore. Në vitin 1872 publikoi veprën e tij të parë të famshme Lindja e tragjedisë. Në vitin 1879 braktisi mësimdhënien për shkak të problemeve shëndetësore dhe në dekadën në vazhdim e kaloi kohën në Venecia, Torino dhe Nisë. Po në vitin 1882 Nietzsche nis të shkruajë kryeveprën e tij Kështu foli Zarathustra, e cila publikohet 3 vite më vonë. Në vitin 1888 transferohet në Torino, ku dhe do të përfundojë veprat Perëndimi i idhujve dhe Ecce Homo,Si bëhet njeriu ai që është. Filozofi i madh u nda nga jeta me 25 gusht të vitit 1900, në Vajmar.

Filozofia e Niçes ka ndikuar në formimin dhe veprën e disa prej figurave më të shquara të shekullit të 20-të, përfshi Thomas Mann, Andre Gide, Hermann Hesse, Sigmund Freud, Martin Heidegger apo Emil Cioran. Fatkeqësisht rreth viteve 20, filozofia e tij u interpretua në mënyrë barbare nga nazizmi gjerman dhe fashizmi italian, dhe për më tepër të ndihmuar nga e motra e cila falsifikoi disa nga dorëshkrimet e tij.

Filozofia e Niçes nis me trajtimin e filozofisë dhe artit të Greqisë Antike, në disfavor të klasicizmit. Niçe kritikoi ashpër vlerat morale të shoqërisë dhe altruizmin, të cilat në fakt mohojnë vetë jetën. Koncepti i njohur i Niçes “vullneti për fuqi” luan një rol kryesor në filozofinë e tij, duke u shprehur se “është esenca e ekzistencës njerëzore, sikur t’i thuash jetes po!”.

Niçe mendonte se udhëheqësit fetarë e përdorin besimin dhe moralin për të skllavëruar njerëzimin. Ndryshe nga keqinterpretimet e filozofisë së tij, mbinjeriu nuk është një njeri i gjithëfuqishëm, por një qënie që duhet të zhvillohet lirshëm për të tejkaluar vetveten.

Me 3 janar të vitit 1889, teksa ndodhej në Sheshin Karlo Alberto, në Torino, Niçe pësoi krizën e parë nervore duke shfaqur mendime delirante dhe duke u vetë-quajtur Krishti apo Dionisi, perëndia greke e dëfrimit. Sëmundja e papritur e tij është debat më vete. Disa mendojnë se ai e trashëgoi sëmundjen nga babai i tij, dhe ka mendimi të ndryshme se si dhe sa ndikoi kjo sëmundje në krijimtarinë e tij filozofike. Niçe i kaloi 2 vitet e fundit të jetës së tij në errësire mendore dhe nën përkujdesjen e së motrës, Elizabeta. Filozofi i madh u nda nga jeta me 25 gusht të vitit 1900, në Vajmar.

Megjithëse shpesh i pakuptuar e i keqinterpretuar, edhe sot Niçe mbetet një figurë e filozofisë botërore me shumë ndikim.

Disa nga aforizmat e tij më të famshme janë:
– Nuk ka fakte, vetëm interpretime
– Njerëzit kërkojnë liri vetëm kur nuk kanë pushtet.
– Të jetuarit është vuajtje, të mbijetuarit është gjetja e një kuptimi për vuajtjet.
– Nuk është mungesa e dashurisë, por mungesa e miqësisë, që i bën martesat të palumtura.
– Ndonjëherë njerëzit nuk duan ta dëgjojnë të vërtetën, sepse nuk duan që t’u shkatërrohen iluzionet e tyre.
– Pa muzikë, jeta do të ishte një gabim.
– Dhe ata që u panë të vallëzojnë, u menduan se ishin të marrë, nga ata që nuk mund ta dëgjonin muzikën.
– Ajo që nuk të vret, të bën më të fortë.
– Nuk jam i mërzitur që më gënjeve, jam i mërzitur se nga tani e tutje, nuk të besoj dot më.
– Arma më e mirë kundër një armiku është një tjetër armik.
– Gjithçkaje ia dimë çmimin, asgjëje vlerën.
– Për të fortin asgjë nuk është më e rrezikshme se mëshira.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Të gjymtuar, lipset ta shohim si një vepër të plotë”

“Njeriu i revoltuar” i Kamy: Revoltohem, prandaj jemi!


Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale