Dy javë para ndeshjes së Kombëtares shqiptare (me Andorrën), Elseid Hysaj është kthyer të stërvitet me grupin e Napolit. Këtë e konfirmon vetë klubi napolitan në faqen e tij zyrtare.
Kujtojmë që kapiteni i kuqezinjve u dëmtua në fillimin e muajit tetor gjatë ndeshjes me Torinon, kur u përplas keq me kokë në tokë dhe shpëtoi fatmirësisht, pasi dëmtimi mund të ishte shumë më i rëndë.
25-vjeçari humbi dy ndeshjet e Kombëtares (me Turqinë dhe Moldavinë), megjithatë tashmë do të jetë i gatshëm për ato të radhës dhe të fundit për këtë fushatë eliminatore të Euro 2020 në muajin nëntor.
Pas dëmtimit të Malcuit, trajneri Carlo Ancelotti do të mbështetet te shërbimet e mbrojtësit shkodran për të mbuluar korsinë e majtë të difensivës së të kaltërve.
Ndoshta Hysaj mund të mos luajë ndaj Andorrës, ose ndoshta një fraksion, pasi është një rival që përballohet, për të qenë totalisht gati për ndeshjen e fundit ndaj Francës.