Në skenën e teatrit “Migjeni”, që sapo festoi 70-vjetorin dhe iu akordua çmimi “Nderi i Kombit”, pas gati 3 dekadash, u mblodhën sërish aktorët e trupave të estradave të Shqipërisë.
Festa Mbarëkombëtare e Humorit, mirëpriti trupën profesioniste të Shkodrës, Parodistët e Vlorës, trupat e humorit nga Peshkopia, Durrësi, Korça, si dhe Gjakova.
Për tri orë, varieteja dhuroi të qeshura pa fund për artëdashësit, të cilët e kishin tejmbushur sallën e teatrit.
Një homazh, miqtë e ardhur nga Vlora e bënë për një nga ikonat e humorit shkodranë e shqiptar, regjisorin dhe “Mjeshtrin e Madh”, Gjosho Vasia.
Rikthimi i të gjithë aktorëve në skenë, është një moment i rëndësishëm për të shpresuar në ringritjen e këtyre trupave me artistë të rinj.
Arian Çuliqi: Qëllimi i këtij festivali, ishte të sjellim sa më shumë të rinj në skenë.
Zef Deda: Pata një emocion më të thellë, se vetë spektatori të emocionon,.. se të pret fort mirë. Edhe skena u mbush me djem e vajza të reja aktorë, se Shkodra është e pashtershme!
Festa Mbarëkombetare e Humorit, do të ngjitet në skenën e teatrit “Migjeni”, për tri net, njëra pas tjetrës.