Trajneri i Kombatres shqiptare, Edy Reja, në konferencën për shtyp para ndeshjes me Andorrën, ka sqaruar mungesën e Taulant Xhakës, i cili nuk erdhi në grumbullim.
XHAKA – “Me Xhakën kanë folur bashkëpunëtorët e mi në telefon. Ai na ka shpjeguar se në ndeshjen e fundit të tij në Zvicër kishte një dëmtim muskulor. Ai ka dashur që të qëndrojë në shtëpi. Nëse nuk është gati 100%, duhet të mos aktivizohet”.
CIKALLESHI – “Siç e dini, Cikalleshi na ka dhënë një rendiment në ndeshjet që ka luajtur. Kemi në kontingjentin tonë 5 sulmuesë. Kemi Kamberin, Manajn, Uzunin.
Sulmuesit tanë kanë të njëjtin nivel dhe karakteristika të njëjta. Unë do të vendos nesër, duke parë gjendjen më të mirë fizike. Kush do që do luajë, do të japë maksimumin.
Kemi dhe Seferin dhe Balajn, që janë shumë të rëndësishëm. Kemi djem të tjerë që do të japin më të mirën, por nuk mund të them sot se kush do të luajë nga fillimi.”
ANDORRA – “Kam një skuadër me djem inteligjentë. Ia kam transmetuar se pika jonë e referimit është ndeshja me Andorrën. Duhet të kemi një rritje nga ana mentale. Nuk duhet nënvlerësuar kjo ndeshje, duhet të japim 110% të kapacitetit tonë”.
SKEMA – “4-3-3 është moduli im i preferuar, e kam thënë më para, por me 3-5-2 ne kemi dy sulmues qendror. Dy anësorë që sulmojmë dhe dy mesfushor qendre. Kështu që kemi më shumë mundësi të sulmojmë.
Nëse nuk ke dy sulmues krahu të shpejtë dhe dy mbrojtës krahu është e vështirë. Është e vështirë, pasi nuk kemi shumë kohë, për të provuar modul të ri. Ndihemi mirë me këtë modul dhe djemtë mund të arrijnë rezultate më të mira.
Shpesh mendohem se kur luan me 5 mbrojtës, je difesniv. Por varet nga filozofia. Lojtarët tanë të krahëve kanë shumë detyra sulmuese. Ky lloj moduli nuk duhet konsideruar shumë difensiv. Mënyra se si sillemi në në fushë, tentojmë të sulmojmë më shumë”.
DEBUTIMET – “Që të dy këta (Kamberi dhe Seferi) lojtarët mund të aktivizohen. Kamberi ka ardhur nga një dëmtim dhe ka bërë një punë të diferencuar. Nëse ai është mirë, do të luajë, pasi dua t’i njoh pak më shumë”.
GREZDA – “Kemi krijuar një ekuilibër në këtë skuadër, që na lejon të kemi shumë opsione. Unë dua që lojtarët që vijnë këtu të jenë të qetë pavarësisht luajnë apo nuk luajnë. Kjo është një detyrë e trajnerit, për të vendosur se kush do luajë apo jo.
Kemi një grup solid. Nëse përmendim Eros Grezdës, më vjen keq, pasi mori ftesën dhe nuk pranoj të vijë. Mbi të gjitha është Shqipëria, rëndësi ka grupi. Nëse dikush mendon se është Mesi, nuk është kështu”.
KAÇE – “Nuk ka çështje apo revolta brenda grupit. Ka lojtarë që tërhiqen, sepse nuk pranojnë vendimet, por ka edhe polivalentë që pranojnë të luajnë jashtë pozicionit.
Jemi një familje dhe në çdo familje çdo problem duhet sqaruar brenda grupit. Janë gazetat dhe gazetarët që nxjerrin në pah çështje që nuk ekzistojnë realisht brenda nesh.
Unë dua që në çdo ndeshje të luhet me 110%, të jepet maksimumi dhe mos të ketë lojtarë që futet pa motivacion dhe grintë. Takohemi rrallë herë për t’i dhënë minuta. pas kësaj ndeshje, do të takohemi në mars dhe duhet motivacion.
Janë qindra e mijëra shqiptarë që na ndjekin me pasion edhe në Itali dhe e shohin Kombëtaren si dritë dhe duhet të ndjekin ekipin e tyre.
TIFOZËRIA – “Nëse do të ishte për mua do të shkoja derë më derë e shtëpi më shtëpi për të thirrur tifozët. Duhet konsideratë për skuadrën, sepse po bën lojë të mirë, por shënon dhe normalisht kërkoj që për këta djem që japin maksimumin të ketë më shumë konsideratë pavarësisht se kush është rivali.
Është ditë pune dhe e kuptoj, por kush ka mundësi e ftoj të na mbështesë, sepse futbolli dhe futbollistët kanë nevojë për atë stimul. Për Francën do të flasim pas ndeshjes me Andorrën”, – tha Reja.