Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.4 ballë është ndjerë në Shqipëri rreth orës 03:55 minuta të mëngjesit të sotëm. Lëkundje të fuqishme që ngjallën panik tek banorët ku shumica kanë dalë në rrugë.
Epiqendra e tërmetit ishte 10 kilometra nga Durrësi dhe 31 kilometra nga Tirana. Lëkundjet janë ndjerë të forta edhe në kryeqytet, por edhe Lezhë, Fushë-Krujë dhe Fier.
Dëme të shumta materiale janë shënuar në disa godina në këto qytete. Në Durrës restoranti-Hotel Miramare është shembur, por nuk raportohet për viktima.
Në Tiranë si në gjithë qytetet e tjera, mijëra njerëz kanë dalë nëpër rrugë të terrorizuar nga lëkundjet dhe duke pritur me ankth lëkundje të tjera. Nisur edhe nga fakti që prej orës 02:47 minuta e deri në vazhdim, janë shënuar lëkundje të herëpashershme.
Në zona e Astirit dhe rrugën “Siri Kodra” në Tiranë sinjalizohen rënie e disa mureve nga lartësitë. Në Thumanë e Fushë- Krujë raportohet për tre pallate të dëmtuar dhe viktima, por ende nuk ka asnjë informacion zyrtar. Në Lezhë disa familje kanë mbetur të bllokuar brenda pallatit, pasi nuk hapen dyert. Po ndërhyjnë forcat zjarrfikëse.