N’ty mendoj kur agon drita,
Kur bylbyli mallshëm kndon
N’ty mendoj kur soset dita
Terri botën kur e mblon.
Veç se ty të shoh un n’andërr,
Veç se ty çuet t’kam n’mendim
Ndër t’vështira ti m’je qandërr,
Për ty leht m’vjen çdo ndëshkim.
Tjera brigje, fusha, zalle,
Unë kam pa larg tue ba shtek,
E përgjova tjera valle
N’tjera lule syu m’u rrek.
Por nji fushë ma blerët nuk shtrohet,
Por nji mal ma bukur s’rri.
Ma i kulluem nji lum s’dikohet,
Moj Shqypni porsi i ke ti.
N’ty ma i bukur lulzon prilli,
Jan ma t’kandshme stin e mot,
N’ty bylbyli pa le Dielli
Kndon ma ambël t’Madhit Zot.
Pa ty lules s’mi vje era,
Pa ty pema frut nuk m’bjen:
Mue pa ty s’më del prandvera.
Pa ty Dielli nuk m’shkëlxen.
Dersa t’mundem me ligjrue,
E sa gjall me frymë un jam
Kurr Shqypni s’kam me t’harrue
Edhe n’vorr me t’përmend kam.