Presidenti ka ndarë në Facebook një këshillë të Zef Mazit, për nevojën urgjente sipas tij të testimit të godinave, pas tërmetit të fuqishem që goditi vendin.
“Një këshillë shumë e rëndësishme, që urgjentisht duhet vlerësuar”, – shkruan Meta duke postuar dhe keshillën e Zef Mazit, -ish-ambasador i RSh pranë Agjensisë Ndërkombetare të Energjisë Berthamore.
Reagimi i Zef Mazit
Tërmeti që goditi vendin tonë para dy ditesh është një fatkeqësi e madhe natyrore, një tragjedi, që mori mjaft jetë njerëzish dhe bëri dëme të medha materiale. Para dy muajsh, në shtator, pati goditje të forta tërmeti, dëme të mëdha materiale, panik në popullsi. U tha se do të verifikioheshin të gjitha dëmtimet, do të riparoheshin ato dhe njerëzit do të rinisnin jetën normale të pashqetësuar. Tërmeti para dy ditësh demonstroi se nuk ishte bërë gje, ose fare pak.
Dëmtimet e godinave, plasaritjet që pësojnë muret e shtëpive nga tërmetet, nuk janë vetëm ato që duken me sy. Ato që nuk duken, që jane të fshehura në thellësite e mureve, nga themelet e lart, janë mjaft më të rrezikshme. Një tërmet i dytë, pasi një i mëparshëm i ka bërë gati përmes dëmtimeve e plasaritjeve qe nuk duken, i rrëzon godinat. Sot ka teknologji, pajisje të posacme dhe njerëz të specializuar që i njohin mirë ato teknologji, që përdorin pajisjet e posacme dhe dine t’i interpretojnë të dhënat që merren nga këto teknologji. Ekspertët e sizmologjisë, profesorët në këtë fushë, ndonëse të paktë në numër, profesorët e inxhinjerisë të ndërtimit, e njohin egzistencën dhe përdorimin e atyre teknologjive. Ata duhen pyetur për cdo gjë. Ky mekanizëm duhej vënë në lëvizje menjëherë që në shtator. Më kujtohet se Presidenti i Republikës e ngriti cështjen dhe kërkoi të lëvizej ky mekanizëm. Ajo që nuk u bë atëhere duhet bërë urgjent tani, pa humbur fare kohe.
Konkretisht e kam fjalën për përdorimin e teknikave rrezatuese përmes të ashtu-quajturave Testime Jo Shkaterruese (Non-Destructive Testing – NDT). Këto teknika e teknolopgji përdoren gjatë ndërtimit të godinave, urave, tubacioneve të ujrave, etj., dhe ato minimizojnë ndjeshëm dëmin që mund të shkaktohet nga fatkeqësitë natyrore dhe shpëtojne jetë njerëzish. Janë të shumta përdorimet e kësaj teknologjie (NDT) në lidhje me manazhimin e fatkeqesive të tilla natyrore.
Agjensia Nderkombëtare e Energjisë Bërthamore është organizata unikale ndërkombëtare e specializuar për cështjen e rrezatimeve. Ajo ka ndihmuar qeveri e vende të ndryshme për të përdorur këto teknoklogji që bëjnë vlerësimin e integritetit të strukturave, ndërtesave, etj. Ato teknologji janë përdorur, për shembull, pas tërmeteve në Meksike, Nepal, Ekuador, etj. Në muajt e parë të këtij viti, Agjensia Bërthamore i dërgoi pajisje NDT Meksikës dhe Ekuadorit pas tërmeteve të fortë që ranë atje. Keto pajisje do të ndihmojnë hapjen e një qendre rajonale në Meksike për të ofruar ndihmë emergjente në rast fatkeqie natyrore që mund të godasi Ameriken Latine.
Teknika më e përdorur zakonisht është radiografia industriale që perdor valet e rrezeve gama, x dhe neutrone për të testuar integritetin e strukturave civile duke mos i shkaktuar atyre as edhe një dëmtim. Ekspertët theksojne se ato përdoren para tërmeteve për të parandaluar shëmbjen e mundëshme ne rast tërmeti, gjatë emergjencave të shkaktuara nga tërmeti për të vlerësuar shkallën e dëmtimit dhe përdorshmërine e godinave të dëmtuara, dhe pas tërmetit në projektimin e ndërhyrjeve për rikonstruktim. Ekspertët janë gjithashtu të mendimit se kontrolli i rregullt i cilesisë të godinave me teknikat e NDT-se, gjatë gjithe jetës te tyre, përfshirë gjatë ndërtimit, ndihmon të evitosh shëmbjet e papritura.
Kur ndodhin fatkeqësi të tilla natyrore mund të demtohen rëndë qendrat historike, godinat cilvile/pallatet ku banojnë njerezit, shtëpitë, godinat publike, rrjetet e shpërndarjes të ujit, etj. Megjithëse disa struktura mund të qëndrojnë në këmbë pas një tërmeti, ato mund të kenë marrë të krisura apo të cara që mund të mbarsin rreziqe të tjera të mëdha në rast se nuk zbulohen herët, me kohe dhe në rast se nuk riparohen shpejt. Me sy të lirë, pa aparatura dhe teknologji të specializuara, npa njerëa të trajnuar mirë, pa ekspertize, jë gjë e tillë nuk mund të bëhet si duhet dhe e plotë. Përdorimi i këtyre teknologjive (Teste NDT) është mjaft kritik për të zbuluar difektet e fshehura në godina dhe për të ofruar mbështetje për riparimin e tyre si duhet.
Agjensia Bërthamore, në kuadrin e një numër projektesh të bashkëpunimit teknik, trajnon profesionistë në këtë fushë, ofron edhe pajisje. Ajo aktualisht ndihmon që të ngrihen rrjete, si në Ameriken Latine, ne Azi dhe Paqësor, për të shkëmbyer përvoja, ekspertizë dhe pajisje kur ndodhin fatkeqësi të tilla.
Ngritja dhe pasja kurdoherë e kapaciteteve të forta kombëtare për emergjencat, përfshirë ato të përdorimit të NDT, si dhe bashkëpunimi rajonal, mund ta përmirësojnë ndjeshëm qëndrueshmërine e strukturave civile të prekura nga tërmeti apo nga fatkeqësi të tjera natyrore. Ato teknika ndihmojnë për të gjetur dhe adresuar pasojat dhe për të mbështetur me të dhëna të sakta riparimin e pasojave. Teknikat berthamore mund të luajne rol thelbësor në parandalimin e fatkeqësive natyrore dhe të manazhimit të tyre.
Shqipëria është anëtare e IAEA që nga themelimi i saj para 63 vitesh. Shqipëria ka të drejtë dhe duhet të kërkojë ndihmë urgjente, të specializuar për testet NDT nga Agjensia Bërthamore në këtë rast emergjence dhe fatkeqësie të madhe natyrore dhe tragjedie kombëtare shkaktuar nga dy tërmete të mëdha radhazi. Solidariteti i jashtëzakonshëm kombëtar i popullit tonë në këto ditë fatkeqësie të madhe, si dhe ai I specialzuar ndërkombëtar, duhet të pasohen urgjentisht nga hapa të mencur, profesioniste, nga shteti për të adresuar urgjent, sic duhet, me teknologji dhe mjete moderne, pasojat e këtij tërmeti të egër. Mundësitë janë, duhen përdorur të gjitha.