MENU
klinika

Bilanci

17 banesa u shembën/ Raporti: 2633 banorë janë strehuar në hotele

02.12.2019 - 09:31

E hënë, 2 dhjetor 2019/ Sot është dita e gjashtë pas tërmetit të rëndë të 26 nëntorit, i cili solli tragjedinë e humbjes së jetës për 51 bashkëqytetarët tanë, dhe shkaktoi të lënduar dhe dëme të mëdha në shumë banesa në bashkitë Durrës, Krujë, Shijak, Kurbin, Tiranë, Kamëz, Vorë, Lezhë.

Kjo komunikatë e përditshme për media ofron informacion mbi punën e institucioneve publike për adresimin e pasojave të tërmetit të datës 26 nëntor 2019, pa pasur pretendimin që kjo pasqyrë të jetë shteruese, duke qenë se veprimet e ndërmarra janë në proces, dhe ecin përpara me shpejtësi.

  • Gjatë ditës së sotme:

U miratuan nga Këshilli i Ministrave paketat e ndihmës për familjet e 51 viktimave të tërmetit të 26 nëntorit, që përfshijnë strehimin e menjëhershëm të familjarëve, pensione speciale, si dhe mbulimin e shpenzimeve për ceremonitë mortore;

Janë kontaktuar familjet e 51 viktimave të tërmetit të 26 nëntorit për të diskutuar me ta hapat konkretë për strehimin e tyre të menjëhershëm dhe fillimin e procedurave për marrjen e pensioneve speciale;

Vazhduan të funksionojnë Shtabet e Emergjencës;

në Tiranë, Durrës dhe Lezhë, të cilat menaxhojnë të gjitha aspektet e punës për adresimin e pasojave afatshkurtra dhe afatmesme të tërmetit;

Vijojnë të marrin ndihmë mjekësore 29 persona nga të cilët 22 në Spitalin e Traumës, 4 në Spitalin e Durrësit dhe 3 të tjerë të transferuar jashtë vendit për kurim;

Numri i qytetarëve të strehuar në struktura hoteliere në Durrës, Shëngjin dhe Kavajë ka arritur në 2633;

U liruan katër palestra në Durrës, pas verifikimeve të bëra me Njësitë Administrative. Banorët që janë bërë të pastrehë nga tërmeti u sistemuan në strukturat hoteliere.

Në Tiranë pesë Qendrat Sociale vazhduan të ofrojnë strehim dhe ushqim për banorët e pastrehë për shkak të termetit.

Vazhdoi gjatë ditës së sotme shpërndarja e ushqimeve, veshjeve, barnave, produkte higjenike, për të gjithë qytetarët e akomoduar në hotele dhe për ata që kanë zgjedhur të qendrojnë në çadra pranë shtëpive të tyre, kryesisht në zonat rurale.

Kjo përfshin bashkërendimin e ndihmave të ofruara nga shumë bashkëqytetarë, biznese, organizata jofitimprurëse vendase dhe të huaja (Itali, Greqi, Zvicër, etj.), vëllezër dhe motra nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe nga disapora;

Në hotelet ku janë strehuar qytetarë, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti, vazhdoi të ofrohet shërbim mjekësor dhe ndihmë psiko-sociale pa ndërprerje, u përgatitën listat e fëmijëve dhe vazhduan përgatitjet për transportin e tyre për në shkolla dhe të prindërve për në vendet e tyre të punës;

Grupi i Ekspertëve të Vlerësimit të Banesave i përbërë nga 70 ekspertë inxhinierë vendas dhe të huaj, të organizuar në 11 grupe, mbështetur edhe nga Mekanizmi i Përbashkët i Emergjencave Civile të Bashkimit Europian dhe Kombeve të Bashkuara, vazhdoi vlerësimin teknik të ndërtesave duke e çuar në 400 numrin e objekteve të vlerësuara;

Vazhdoi shembja e banesave të shkatërruara nga tërmeti në bashkinë Durrës, mbi bazën e vendimeve të këshillit bashkiak, sipas vlerësimit teknik zyrtar të ekspertëve. Deri më sot, në qarkun Durrës janë prishur 12 banesa të shkatërruara dhe 5 të tilla në bashkinë Krujë.

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin