Dy anëtarë të jashtëm të komitetit të Nobelit për Letërsi, raportohet të kenë njoftuar largimin të hënën, pasi kritikuan Akademinë Suedeze të prekur nga skandali.
Akademia 233-vjeçare e Nobelit, u detyrua të prezantojë disa masa të reja pas skandalit seksual, ku përfshihej bashkëshorti i një ish-anëtareje, duke çuar në shtyrjen e ndarjes së çmimit për vitin 2018.
Anëtarët e jashtëm u shtuan për të ndihmuar komitetin Nobel, në zgjedhjen e kandidatëve për çmime gjatë votimit. Kristoffer Leandoer, tha, se po largohej pasi nuk kishte “as durim dhe as kohë” për të pritur që komiteti të përfundojë reformat.
“Akademia dhe unë personalisht, kemi një këndvështrim tjetër me kohën, një vit është shumë i gjatë në jetën time dhe shumë i shkurtër në jetën e Akademisë,” – shkroi ai, në një artikull në “Svenska Dagbladet”.
Leandoer tha, se vendimi i tij nuk ishte i lidhur me çmimin e vitit 2019, për shkrimtarin e diskutueshëm austriak Peter Handke, për të cilin Akademia ka marrë kritika, brenda dhe jashtë vendit.
Por, Gun-Britt Sundstrom tha, në një deklaratë të botuar në “Dagens Nyheter”, se zgjedhja e Handkes, ishte interpretuar sikur letërsia të bazohej mbi politikën dhe se, nuk e ndante këtë pikëpamje, sipas “Reuters”.
Handke është kritikuar shumë, për portretizimin e Serbisë si viktimë gjatë luftrave në Ballkan dhe për pjesëmarrjen në varrimin e ish-presidentit jugosllav, Slobodan Millosheviç.
Akademia konfirmoi se, Leandoer dhe Sundstrom, ishin larguar nga komiteti i Nobelit, që deri më sot ishte i përbërë nga katër anëtarë të Akademisë Suedeze dhe pesë anëtarë të jashtëm.
“Jemi mirënjohës për përpjekjen me vlerë nga ana e tyre, gjatë gjithë vitit dhe tashmë, po rishikojmë organizimin e punës së Komitetit, për çmimin “Nobel 2020” në letërsi,” – është shprehur Mats Malm, Sekretari i Përhershëm i Akademisë Suedeze.