Thuajse dy dekada në përpjekje për të mbrojtur përdorimin e saktë të apostrofit në gjuhën angleze. Por, përkrahësit më në zë të kësaj shenje pikësimi, duket se janë dorëzuar. Me gjuhën që sot shkruhet përmes mjeteve të sofistikuara të teknologjisë, ata ndihen të shkurajuar prej dembelizmit dhe injorancës, tipar ky i kohëve “moderne”./Konica.al
John Richards, President i Shoqatës Britanike për Mbrojtjen e Apostrofit, bëri me dije se shoqata do ta ndërpriste tashmë aktivitetin.
Richards e themeloi shoqatën në vitin 2001, për të ruajtur përdorimin e saktë të kësaj shenje pikësimi, shumë shpesh e abuzuar.
Ish-gazetari e kaloi periudhën e fundit të karrierës si sekretar i redaksisë, duke kontrolluar artikujt e gazetarëve para se të botoheshin, një detyrë që shpesh përfshinte korrigjimin e përdorimit të apostrofit.
Pas daljes në pension, ai vazhdonte të kapte të njëjtat gabime flagrante, ndaj vendosi të merrte masa, duke e konsideruar apostrofin si një “specie” në rrezik që duhej të mbrohej.
Megjithatë, së fundmi, 96-vjeçari ka njoftuar ndërprerjen e aktivitetin, për dy arsye.
“E para, se jam 96 vjeç dhe ka ardhur koha të tërhiqem, ndërsa arsyeja e dytë është se, tani, gjithnjë e më pak organizata dhe njerëz, po shqetësohen për përdorimin e saktë të apostrofit në gjuhën angleze”, – ka theksuar ai, në faqen e internetit të Shoqatës.
“Me mbështetësit tanë të shumtë, në mbarë botën, bëmë më të mirën tonë, por dembelizmi dhe injoranca e kohërave moderne, fitoi!”, – e mbylli fjalën, Richards.