Në Rusi, thuajse të gjithë poetët vuajnë shumë. Besohet se, poezia e mirë mund të lindë vetëm nga dhimbje të mëdha. Më poshtë, po citojmë pesë poetët me histori jetësore absolutisht tragjike./Konica.al
- Aleksandër Pushkin (Alexander Pushkin) (1799-1837)
S’do të ishte e drejtë nëse themi se poeti i madh rus jetoi një jetë të privuar. Gjithësesi, atij i dukej sikur fati dhe njerëzit ishin mizorisht të padrejtë ndaj tij dhe se ai kishte arsye të shumta që të ndihej i trishtuar. Së pari, ai ishte një fëmijë i padëshiruar, më pas, si çdo i ri, e përjetoi thellësisht atë çfarë po ndodhte në Rusi, çka e shtyri të shkruante vargje politike, por edhe disa vargje të pahijshme, për shkak të të cilave e mërguan me forcë së pari në jug, në Moldavi dhe Odesa, mandej në Rajonin Pskov (390 milje në perëndim të Moskës). Mirëpo edhe atje vuajti, thuajse nga gjithçka: dashuri e pashpërblyer, të qenit larg nga miqtë dhe kryeqyteti. E torturonte fakti, që nuk kishte qenë në gjendje të merrte pjesë në kryengritjen kundër carit dhe, më pas, që pjesëmarrësit e saj ishin ekzekutuar ose internuar në Siberi.
Më vonë, u dëshpërua që borxhet dhe sëra e ulët nga rridhte e penguan të martohej. Së fundmi, kur u martua, po e gërryente xhelozia. Por tragjedia e vërtetë ndodhi, kur sfidoi në duel të dashurin e pretenduar të gruas, ku u plagos për vdekje dhe, duke pikëlluar pjesën dërrmuese të inteligjencës ruse, vdiq tri ditë më vonë, në moshën 37-vjeçare.
- Mihail Lermontov (Mikhail Lermontov) (1814-1841)
Ndonjëri mund të thotë që Lermontov e “tkurri” pamjen tragjike nga vetë Pushkini, pasi ai u bë i famshëm në çastion kur shkroi një poezi me rastin e përvjetorit të vdekjes së poetit. Në atë poezi Lermontov arriti të përcjellë tragjedinë e jetës dhe vdekjes së poetit të madh dhe akuzoi ata që, sipas tij, ishin përgjegjës për vdekjen e Pushkinit. Në fakt, Lermontov ishte mbase një personazh edhe më romantik se Pushkini. Një jetim shëndetlig i rritur nga gjyshja, ai ishte gjithmonë kundër pjesës tjetër të botës, tërësisht i vetëdijshëm për padrejtësinë që i bëheshin dhe gjithnjë ndjehej i përjashtuar. Vuajti nga censura dhe policia sekrete, të cilën e urrente, me besimin se banditët me uniformë blu ishin tradhtarë të Rusisë. Sidoqoftë, vuajtja e tij më e madhe, natyrisht, kishte të bënte me dashurinë. Për fat të keq, Lermontov nuk bënte pjesë tek njerëzit e pashëm, për më tepër kishte një humor të keq, prandaj nuk është për t’u habitur që nuk gëzonte popullaritet veçanërisht nga seksi femër. Humori tepër i pakëndshëm ishte ai i dëshirimit dhe dëshpërimit. Në shoqëri sillej si një mizantrop i vërtetë dhe, në fund të fundit, ishte të folurit e hidhur që i kushtoi jetën. Ai ofendoi mikun e tij Nikolai Martynov në shoqërinë e një zonje, Martynov e sfidoi poetin në duel, e qëlloi në kraharor dhe e vrau. Lermontov ishte vetëm 27-vjeç.
- Sergei Esenin (Sergei Yesenin) (1895-1925)
Duke lexuar vargjet shpresëdhënëse të këtij poeti huligan (siç e quante veten), do kuptoni se ai ishte një personazh shumë pasionant, i cili jetoi një jetë të përshpejtuar. Kjo është edhe arsyeja pse absolutisht gjithçka i shkaktoi vuajtje. Magjepsej shpejt nga gratë, por po aq shpejt lodhej prej tyre dhe u jepte duart. U zhvendos në vendlindje, një fshat në Oka River, prej të cilit u transferua në kryeqytet. Mirëpo, zemra e tij ishte e mbushur me keqardhje për prindërit e moshuar, të cilët i kishte lënë pas. Filloi të jepej pas pijes dhe shpesh përfshihej në harbime pijanecësh, aq sa autoritetet filluan të shqetësoheshin për gjendjen e tij mendore, si rrjedhojë e vunë nën mbikëqyrje. S’kaloi shumë dhe ezaurimi mendor arriti pikën kritike. Esenini vërente se përndiqej nga një hije, por duke qenë i dehur nuk mund ta kuptonte nëse ishte një agjent i NKVD apo ana e tij “e errët” – këto tortura pasqyrohen në poezinë e tij “Njeriu i zi”. Në vitin 1925, poeti u gjet i varur në Hotelin “Angleterre” në Shën Petërburg, me një poezi të shkruar të përgjakur mbi tryezën e tij. Versioni zyrtare qe se bëri vetëvrasje, por ende ekzistojnë spekulime se ai mund të jetë vrarë nga oficerët e NKVD-së, të cilët më pas vunë në skenë varjen. Dhoma e hotelit ishte rrëmujë, për më tepër kishte gërvishtje të çuditshme dhe mavijosje në fytyrën e poetit./Konica.al
- Vladimir Majakovski (Vladimir Mayakovsky) (1893-1930) Në vitet e para të Bashkimit Sovjetik, vetëvrasjet po ndodhnin rëndom në gjirin e artistëve, të cilët e kishin të vështirë të përballeshin me përmbysjen e idealeve të tyre revolucionare, kur u bë e qartë se në vend të një jete të re të lirë, revolucioni kishte formuar një diktaturë, etj. NKVD, censurë dhe ekzekutime. Majakovski ishte njëri prej tyre. Për të, gjërat u rënduan edhe më shumë nga jeta e trazuar personale, pasi u gjend në një trekëndësh dashurie me Lilya dhe Osip Brik. Madje, Lilya u akuzua si magjistare dhe se e kishte shtyrë poetin drejt vetëvrasjes: ajo ishte një personazh i paqëndrueshëm dhe i kërkuar. Thuhej që Lilya po ushqehej nga fama e Majakovskit: ai rrëfeu dashurinë që kishte për të, duke i kushtuar poezi plot dhimbje zemre, ndërsa Lilya i kërkonte vetëm para. Më 1930, në kulmin e famës, poeti u vetëvra në banesën e tij, përtej rrugës nga selia e NKVD-së, Lubyanka. Tashmë banesa është shndërruar në Muzeu Majakovski. Në shënimin vetëvrasës, poeti kërkonte të mos fajësohej askënd për vdekjen e tij, kurse arkivin ia la trashëgim Briksit. Sidoqoftë, kishte nga ata që besuan se edhe Majakovski u vra nga NKVD dhe se operacioni u krye nga Veronika Polonskaya, e cila kishte një takim me të dhe ishte pikërisht ajo që gjeti trupin e tij.
- Osip Mandelstam (1891-1938)
Lindur në një familje të pasur hebreje, Osipi e përjetoi keq rrënimin financiar. Një tjetër burim vuajtjesh ishte edhe stigma e origjinës. Madje, u detyrua të konvertohej në i krishterë, në mënyrë që të mund të studionte në një universitet rus (prindërit nuk kishin para për të paguar për arsimin e tij në Evropë, ku studionte fillimisht). Sa i përket paraqitjes, Mandelstam ishte gati i shëmtuar, me veshë të mëdhenj dhe me hundë të madhe, por në thellësi të shpirtit ishte një hero i vërtetë romantik dhe një adhurues i antikitetit. Mospërputhja midis pamjes së jashtme dhe botës së tij të brendshme, por dhe qesëndisjet që shpesh duhej të duronte nga të tjerët i sollën shumë dhimbje. Shqetësimet u përkeqësuan, kur, tashmë një poet i famshëm, iu nënshtrua harresës së plotë nën sundimin e Stalinit. Poemat e tij “dekadente” nuk e kaluan censurën sovjetike, duke iu ndaluar botimi i veprave “antiatdhetare”, që për poetin ishte e barasvlershme me dënimin me vdekje. Për më tepër, duke humbur pasurinë iu desh të fitonte bukën e gojës duke punuar si përkthyes. Në dëshpërim, në vitin 1933, ai bëri gabimin fatal: shkroi një epigram monument kundër Stalinit: “Ne po jetojmë, por nuk mund ta ndiejmë tokën ku qëndrojmë”, ku e quante Stalinin “malësori i Kremlinit” (duke lënë të nënkuptohej arsimimi i dobët i udhëheqësit sovjetik) dhe e ndau me rrethin shoqëror. Edhe pse në atë kohë ai u ndëshkua vetëm me internim në Voronezh, ishte bashkëshortja, Nadezhda Yakovlevna, e cila e shpëtoi nga vetëvrasja.
Në kulmin e spastrimeve të Stalinit në 1938, kur doli përsëri emri i Mandelstamit, ai u akuzua për agjitacion antisovjetik dhe u dënua me pesë vjet në Gulag për vargjet “e turpshme dhe shpifëse”. Kjo ishte goditja finale e tragjedisë. Mandelstam, i cili ishte me shëndet të dobët dhe nuk ishte i përgatitur për të përballuar vështirësitë e jetës së përditshme, vdiq gjatë transportit në një kamp në Lindjen e Largët ruse, nga tifoja, sipas teorisë zyrtare./Konica.al