MENU
klinika

Drejtori jep detaje për koncertin

Filharmonia e Kosovës, dedikim ndaj grave që vdiqën në luftë

07.12.2019 - 17:27

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari ka folur sot rreth koncertit  që do të mbahet në nesër mbrëma, ku do të interpretohet vepra ‘Requiem’ e Mozartit. 

Ky koncert organizohet në kuadër të sezonit 2019/2020 dhe shënon 70-vjetorin e lindjes së dirigjentit Rafet Rudi.

Filharmonia e Kosovës interpretimin e ‘Requiem’ të Mozart-it, nesër mbrëma do t’ia dedikojë grave dhe vajzave që vdiqën dhe u përballën në heshtje me vuajtjen, pasi u torturuan dhe u dhunuan në luftën e Kosovës, më 1999.

Në këtë koncert është angazhuar Kori i Filharmonisë së Kosovës dhe Orkestra Simfonike, që nesër do të dirigjohen nga kompozitori dhe dirigjenti permanent i Korit të Filharmonisë së Kosovës, Rafet Rudi. Ai ndihet i nderuar që nesër do ta mbajë peshën e kësaj mbrëmje dhe të kësaj vepre monumentale.

Rozafa Kelmendi përfaqësuese nga UN Women tha se vepra e nesërme do të jetë homazh për gratë e dhunuara.

Në koncert përveç solistëve nga Kosova do të ketë edhe mysafirë nga Franca e Danimarka.

Koncerti do të mbahet nesër duke filluar nga ora 20:00, tek Pallati i Rinisë.