MENU
klinika

Kategoria Superiore, java 5

Tirana frenon Skënderbeun në Korçë

22.09.2018 - 20:46

Pas fitores në Vlorë ndaj Flamurtarit, Skënderbeu është ndalur brenda në shtëpi ndaj Tiranës, në një barazim 1-1, duke zbritur disi në tokë ekipin kampion në fuqi. Bardheblutë nga kryeqyteti mund të kishin marrë edhe  pikë.

Ndeshja kishte ritëm dhe skuadrat krijuan volum që në start. Gjithsesi, duhen veçuar dy episode, kur miqtë kishin pretendime të ndryshme me gjyqtarin. Në minutën e 6-të dhe të 27-ën, Lulaj dhe më pas kapiteni Radas ndalën sulmet e kryeqytetasve në mënyrë të parregullt.

Gjyqtari Kuka në të dyja rastet akordoi vetëm karton të verdhë për dy lojtarët e sipërpërmendur, edhe pse miqtë këmbëngulën se në të dyja raste u ishte hequr mundësia e shënimit të golit.

tirana
tirana

Gjithsesi, Edon Hasani, ishte i harruar në minutën e 20-të nga mbrojtja korçare. Daja harkoi saktë nga e djathta dhe shkodrani me kokë nuk e pati të vështirë që të shënonte me portën e boshatisur, duke shfrytëzuar dhe daljen e Teqes. Pas avantazhit, bardheblutë e menaxhuan mjaft mirë avantazhin.

Në pjesën e dytë ishin vendasit që e rritën ndjeshëm presionin, por pa mundur që të kalonin Ilion Likën. Bardheblutë në anën tjetër pretenduan për një 11-metërsh, por rrëzimi i Imamit u konsiderua simulim dhe lojtari u ndëshkua dhe me karton të verdhë.

Kur gjithçka dukej se po shkonte në favor të miqve, John mori përdore skuadrën duke shënuar golin e barazimit. Sulmuesi, i cili u aktivizua në pjesën e dytë me kokë mposhti Ilion likën pas një harkimi nga e djathta. Në minutat shtesë ishte teqja ai që u bë shpëtimar pasi i hoqi mundësinë e shënimit Blazhevskit.

 

Në fund nga një pikë për të dyja skuadrat. Tirana shkon në kotën e 5 pikëve dhe mendon për derbin në javën e ardhshme me Partizanin. Në anën tjetër Skënderbeu ruan vendin e parë, pasi arrin në kotën e 11 pikëve. Korçarët do të ndeshen me Teutën e Bledi Shkëmbit javën e ardhshme.

Skënderbeu – Tirana   1-1

John 87’/ Hasani 20′

Skënderbeu: Teqja, Vangjeli, Radas, Aliti, Abazi (John 78′), Lulaj (Guindo 25′), Muzaka, Demte, Gripshi (Fili 56′), Bregu, Krasniqi. Trajner: Orges Shehi.

Tirana: Lika, Doka, Turtulli, Berisha (Cake 75′), Imami, Mauexhe, Daja, Hasani (Karabeci 53′), Oduamadi (Greca 68′), Kobinas, Blazhevski. Trajner: Ze Maria.

Gjyqtarë: Orlando Kuka, Denis Agaraj, Ani Koçiaj, Laver Alla.

Kartonë të verdhë: Lulaj 6′ Radas 27′, Abazi 58′, Vangjeli 76′, / Imami 57′, Doka 67′

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN