MENU
klinika

Dueli me rusin Povetkin

Joshua i pathyeshëm, rikonfirmohet kampion

23.09.2018 - 00:45

Pavarësisht rezistencës së boksierit rus, kampioni britanik Anthony Joshua konfirmohet kampion i botës në peshën e rëndë, pas fitores me “KO” në raundin e shtatë ndaj Alexander Povetkin, duel që u zhvillua në stadiumin “Wembley” të Londrës.

Joshua kori suksesin e 22-të në karrierë, duke qëndruar i pamposhtur dhe mbrojti titujt kampionë në kategoritë IBF, WBO e WBA, ndërsa për rusin kjo ishte humbja e dytë në karrierë, ku numëron edhe 34 fitore.

Suksesi nuk ishte aspak i lehtë për boksierin britanik, pavarësisht se e fitoi sfidën me “KO”, pasi rivali rus i bëri një start të mirë duelit, duke e dominuar atë në dy raundet e parë, madje duke e vënë në vështirësi Joshua.

Vetëm në raundin e katërt britaniku nis të marrë frenat e duelit nën kontroll, duke i shkaktuar një të carë në vetull Povetkin, që nga ai moment nis të lëkundet. Dhe gradualisht, nga raundi në raund Joshua nis të dominojë dhe fitojë terren karshi rivalit.

Povetkin tentoi të rikuperojë, duke qenë më i lëvizshëm në ring, tentoi goditjet nga afër, duke qenë më i shkurtër se Joshua, por pa sukses. Në raundin e shtatë britaniku arriti të hedhë dy herë në tapet rivalin pas disa goditjeve të forta, moment ku Povetkin mezi qëndron në këmbë dhe sfida ndalet.

Joshua Povetkin
Joshua Povetkin

90 mijë shikuesit në stadium brohorasin dhe përshëndetin suksesin e idhullit të tyre, që djersiti shumë për të korur këtë sukses. Sfida e radhës e Joshua në prill të 2019-ës.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN