Sipas të dhënave zyrtare të bankës, në vetëm 10 muajt e parë të 2019 Shqipëria ka rritur me 82% rezervat e saj në ar.
Në Tetor të këtij viti rezervat në ar fiksohen në 106 milionë euro, që përkthehen në 2.23 ton ar me kursin e sotëm të këmbimit. Në Janar të këtij viti, rezervat në ar ishin vetëm 58 milionë euro, ose 1.22 ton ar, dhe në muajin maj, 59 milionë euro.
Pra, në harkun e vetëm 6 muajve, nga maji në Tetor, Banka Qendrore e Shqipërisë ka blerë plot 1 ton ar, që nëse flasim në euro përkthehen në rreth 48 milionë.
Tendenca për të blerë ar nga bankat qendrore ka nisur masivisht nga viti i kaluar, ku u prek dhe rekordi më i lartë që prej vitit 1967, me 656 ton në nivel global. Blerja masive e arit të verdhë ka bërë që Shqipëria të jetë një ndër vendet më aktive në botë në këtë drejtim.
Këshilli Botëror i Arit (World Gold Council) e përfshin në listën e 20 vendeve që kanë bërë blerjet më të mëdha në botë gjatë këtyre 10 muajve të parë të vitit.
Turqia mban vendin e parë. Ekspertët e këshillit por edhe ata të Goldman Sachs shprehen se, për bankat qendrore ari është një aset fantastic, pasi është i sigurtë, likuid dhe gjeneron kthime në terma afat-gjatë. Por, ndër të tjera gjatë këtyre dy viteve tendenca është rritur edhe për arsye të tensioneve gjeopolitike, dhe bankat qendrore po i drejtohen arit për të balancuar këto rreziqe.
Edhe yieldet negative për një pjesë të madhe të bonove qeveritare kanë ndikuar në këtë tendencë të re, të cilës duket se nuk i shpëtuar as Shqipëria me politikën e saj monetare.