MENU
klinika

'Nisma për të hequr taksën'

Dekonspiroi planin/ Rama i ashpër me Haradinajn: Gënjeshtar

21.12.2019 - 15:29

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur me tone të ashpra kryeministrit në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se Samiti i tretë i minishengenit, që po mbahet në Tiranë, ka për qëllim heqjen e taksës ndaj mallrave serbe.

Në një reagim për media, pas Samitit, Rama tha se Haradinaj është një gënjeshtar dhe i paditur klasik, që nuk e di pse po e bën këtë gjë, pasi sipas kryeministrit shqiptar, ai e di se këtu nuk ka asnjë kusht apo detyrim.

“Ndërhyrje prej të padituri klasik që merret llokum dhe paraqitet mediatikisht. Si bëhet kjo, në çfarë forme bëhet? Nuk ka asnjë nyje detyruese kjo marrëveshje, Haradinaj është një gënjeshtar që gënjen sërish, nuk di nëse e bën nga padija, por se është gënjeshtar, pasi këtu nuk ka asnjë kusht apo detyrim.

Kjo marrëveshje ka vetëm një qëllim, të zbatojë marrëveshjet e bëra më parë mes të gjitha vendeve. Unë dua që në këtë proces ne të fusim hap pas hapi edhe elementë të tjerë, që ka të bëjë me zhbllokimin e ngërçit për energjinë. Është një ngërç i madh, që nuk zgjidhet me sharje, fyerje. Kjo është një gënjeshtër, sepse nuk ka asnjë lloj detyrimi në këtë aspekt. Nëse Kosova hyn në këtë proces dhe thotë që marrëveshjen për lëvizjen e lirë për njerëzit, mallrat, kapitalet, unë nuk dua ta bëj me Serbinë, por me Maqedoninë e Veriut, nuk i thotë njeri gjë.

Është një tym që ngrihet nga rrethi vicioz dhe rruga qorre, ku është sot politika në Kosovë, që shpresoj të jetë rezultat i një momenti paqartësie dhe të zgjidhet, kur të vijë qeveria e re, me të cilën do punojmë. Ne nuk kemi ndryshuar asgjë në raport me qëndrimin solid të palëkundur, që Serbia duhet të njohë Kosovën. Por, jeta e përditshme na mëson se ka plot gjëra të tjera që mund të bëhen, dhe duke bërë gjërat e reja lehtësohet edhe procesi tjetër”, deklaroi Rama.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN