MENU
klinika

"Notre Dame de Paris"

Kisha nuk i ra këmbanave të Krishtlindjes… pas 200 vjetësh

25.12.2019 - 15:04

       Prej dy shekujsh, në Paris nuk ndodhte që katedralja “Notre Dame”, të mos ishte kryefjala e Krishtlindjes; mesha e shenjtë të mos mbahej aty.

Kjo, ishte hera e parë nga viti 1803, që mesha e mesnatës u mbajt në një kishë tjetër, pikërisht në kishën “Saint-Germain l’Auxerrois”.

“Është me të vërtetë, simbolike. Është shumë shumë e rëndësishme. Ky ka qenë një vit i vështirë. Para se të vija këtu, isha në “Notre Dame”… Ishte e trishtueshme…” – është shprehur një grua.

“Unë përpiqem të vij çdo Krishtlindje në Paris, pasi si katolik, për mua është shumë e rëndësishme. Vitin e shkuar, erdha në “Notre Dame” më 24 dhjetor. Këtë vit është ndryshe. Jam shumë i prekur” – tregon një burrë.

Zyrtarët francezë konfirmuan të shtunën e kaluar, se për të parën herë që prej vitit 1803, mesha e Krishtlindjes nuk do të mbahej në katedralen e Parisit, ndërkohë që vazhdojnë punimet për riparimin dhe rindërtimin e monumentit të famshëm francez, tetë muaj pas zjarrit shkatërrimtar.

Mesha e Krishtlindjes, ndërkohë u mbajt në një kishë të afërt. “Notre Dame”, e vendosur buzë Senës, është pjesë e trashëgimisë botërore e mbrojtur nga UNESCO. Më 15 prill, katedralja u shkrumbua, duke humbur spiralen, çatinë dhe shumë artefakte të vyera.