MENU
klinika

Nga Deusche Welle

Gjermani: Debate për migrantët edhe në kohën e festave

25.12.2019 - 18:30

Në Gjermani po vazhdojnë debatet për migrantët edhe në kohën e Krishtlindjeve. Mendimet janë tërësisht të kundërta. Më së shumti po flitet për mundësinë e pranimit të migrantëve minorenë nga Greqia.

Komisioni Evropian i ka bërë thirrje Gjermanisë dhe vendeve të tjera të Bashkimit Evropian që të pranojnë dhe strehojnë migrantët e mitur, të vendosur aktualisht në Greqi. Kampet në Greqi janë të mbingarkuara dhe vendet tjera duhet të ndihmojnë. “Komisioni është i shqetësuar me gjendjen e rëndë të migrantëve pa shoqërim në këto kampe”, tha zëdhënësja e komisioneres së BE Ursula von der Leyen, për agjensinë e lajmeve DPA. Komisioni ka kërkuar prej vendeve anëtare disa herë që vullnetarisht të marrin migrantë nga këto kampe. Por përgjigja ka qenë deri tani kryesisht negative.

Autoritetet greke thonë se aktualisht në kampe atje ka rreth 5.300 fëmijë dhe minorenë pa shoqërim. Por vend në kampe ka për vetëm 2.216, që do të thotë se mbi gjysma prej tyre nuk kanë vend për strehim të duhur.

Debatet në Gjermani

Kryetari i ekologjistëve gjermanë Robert Habeck i vizitoi së fundi këto kampe dhe hapi një debat të nxehtë në Gjermani, sepse ai kërkoi që Gjermania të pranojë rreth 4.000 të mitur. Ministri i Brendshëm Horst Seehofer e akuzoi partinë ekologjiste për “politikë jo korrekte” në kohën e festave.

Propozimi i kreut të ekologjistëve është kritikuar edhe nga liberalët. Linda Teuteberg deklaroi për gazetën „Die Welt”: „Fushata e ekologjistëve në prag të Krishtlindjeve nuk e ndihmon askend për zgjidhjen e problemeve me migrantët.”

Ndërsa në partinë socialdemokrate SPD ka pasur edhe konflikte mendimesh mes ministrit të landit të Saksonisë së Poshtme Borius Pistorius dhe kryetares së SPD Esken. Pistorius u shpreh i dëshpëruar me politikën e partisë së tij, për shkak se krerët e partisë nuk janë pozicionuar qartë ndaj kësaj çështjeje.

Të dhënat e BE dallojnë nga ato të ekologjistëve

Komisioni Evropian pohon se të dhënat e tyre dallojnë nga ato të Habeckut. KE ka regjistruar vetëm 1.922 fëmijë pa shoqërues në këto kampe. Në gjithë Greqinë ka pasur së fundi 5.276 migrantë të tillë.

Vetëm 9% prej tyre janë më të vegjël se 14 vjeç, që do të thotë fëmijë në kuptimin e plotë të ligjit. Nga 1.922 fëmijë, 92 % janë djem. Habeck në intervistën për gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung foli për “vajza me shëndet të dobët”, të cilat duhet të sillen në Gjermani.

Autoritetet greke thonë se numri më i madh i migrantëve vjen nga Afganistani, Pakistani dhe Nigeria. Vetëm 11 janë regjistruar nga Siria.

Gjermania pret zgjidhje nga BE

Qeveria gjermane ka kumtuar se migrantët në këtë moment nuk mund të sillen në Gjermani. “Ne po kërkojmë zgjidhje evropiane”, theksoi zëdhënësja e qeverisë Ulrike Demmer. “Gjermania nuk mund ta zgjidhë vetë këtë problem.”

Ndërkohë mendohet se zgjidhja do të arrihet shumë shpejt. Vendet e BE për përpiqen të gjejnë një zgjidhje të përbashkët për shpërndarjen e migrantëve, thuhet në BE.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Marrëveshje edhe me Italinë

Kriza e migracionit po merr zgjidhje…

Pushimi i shefit të inteligjencës

Merkel ‘me shpatulla pas murit’. Po tani?!