MENU
klinika

Vizionari mistik

Shkrimtari që pretendonte se fliste me engjëjt

27.12.2019 - 15:18

      Poet, piktor, vizionar mistik dhe gdhendës, Uilljam Bleik (1757-1827) deklaroi superioritetin e fantazisë mbi racionalizmin dhe materializmin e shekullit të 18-të. Keqkuptimet e kohës bënë që puna e tij të nënvlerësohej gjatë jetës së tij, por ishin brezat e mëvonshëm ata që vlerësuan rëndësinë e krijimtarisë së tij. Një kryevepër sa i përket fatntazisë. Piktori dhe poeti romantik Uilljam Beik, krijoi disa nga portretet ikona në historinë e kulturës britanike: nga një portret i çuditshëm anësor i Izak Njutonit, i përkulur lakuriq në fundin e oqeanit, tek një djalë i ri me pamje të egër, që vërviste krahët e gjatë kundër një shpërthimi prizmatik ngjyrash, për të përqafuar agimin e ri të lirisë njerëzore. Jo keq për një artist, i cili nuk ishte tjetër veçse një shpërfillje totale në të gjallë, i  larguar nga shumë njerëz që e mbanin si të çmendur, duke vdekur në varfëri dhe errësirë në vitin 1827./Konica.al

I mësyrë që në fëmijëri nga vizionet e engjëjve dhe demonëve, të cilët i shfaqeshin në dritare dhe e drejtonin drejt shkallareve, Bleik e kaloi jetën duke shkruar profeci të bezdisshme që pakkush i lexonte dhe gravura me bojëra uji që fare pak donin t’i blinin. Pas dekadash mundimi të jashtëzakonshëm, ai arriti të çelë vetëm një ekspozitë të punës së tij. Nga të gjitha anët, ishte një katastrofë e vërtetë.

Aftësia e Bleik, në tërësinë e saj, në mjeshtërinë e ngushtimit të fokusit në një pjesë të vetme të botës materiale dhe aftësia për të perceptuar egërsitë e përjetshme të saj, zë një rëndësi të veçantë sa i përket vlerësimit të intensitetit dhe arritjes së punës së tij. Uilljam Bleik ëndërronte gjithmonë të bënte vepra të mëdha për kishat dhe sheshet, por për zhgënjimin e tij të hidhur, ai kurrë nuk arriti t’ia dalë mbanë.

 

PËRJETËSI

Kush lidh me vete një gëzim

Shkatërron jetën me krah;

kush puth gëzimin në fluturim

Jeton në agimin e përjetësisë.

 

Një poet individual, origjinal sa i përket vizionit dhe teksnikës personale. Vlerësohet si romantik i hershëm, sepse hodhi poshtë stilin dhe temat neoklasike. Sipas tij, poeti bëhet një lloj profeti, i cili mund të shohë më thellësisht brenda realitetit. Ai theksoi rëndësinë e imagjinatës mbi arsyen. Është përmes imagjinatës që njeriu mund të njohë botën. Gjuha dhe sintaksa e Bleik janë të thjeshta, shpesh përvetëson një stil naiv, duke përdorur një fjalor të thjeshtë, anglo-sakson, si dhe përsëritjet, refrenet dhe modelet e rregullta të theksit, të cilat janë tipike për baladat, këngët dhe ninullat e fëmijëve. Po ashtu, Bleik krijoi sistemin e tij të simboleve./Konica.al

 

TRËNDAFILI I SËMURË

O trëndafil ti lëngon

Vemja e padukshme

Që natën fluturon

Në pluhurin që fishkëllen

Gërmuar ka shtratin tënd

Me gëzim ngjyrëgjak

Në sekretin e dashurisë së thellë

Jetën tënde vret nga pak.

 

I ushqyer me lexime nga Böhme, Milton, Swedenborg, i ndikuar nga idetë e miqve të tij – Paine dhe Mary Wollstonecraft, ai hedh vështrime të shumta në botë. Mbi të gjitha, ai është një njeri i kohës së tij, u drejtohet bashkëkohësve, duke u dhënë komentet e veta, vizionin e tij për universin. Bleik është piktor që bën libra. Ai shkruan së prapthi, si në pasqyrë, tamam si e kërkon gdhendja dhe i quan ato shtypje “të ndriçuara”, më saktë të iluminuara. Kritika e vetme e botuar gjatë ekspozitës personale në vitin 1809, e vetmja në jetën e tij, e quan atë “budalla i gjorë”. Ekspozita u vizitua vetëm nga gjashtë vizitorë. “Ky njeri e lë veten të rrëmbehet tutje nuk e di se ku, drejt Hades ose ndonjë azili me të çmendur, – komenton eseisti Charles Lamb, – por unë mendoj se ai është një nga njerëzit më të jashtëzakonshëm të kohës së tij”.

Radikal, Bleik mbron idenë e lirive. Ai i pohon vetvetes atë që ne sot do ta quanim një luftë për emancipim seksual. Ai ngrihet kundër hipokrizisë së zakoneve, mohimit dhe ngulfatjes së dëshirës nga institucionet sociale. “Burgjet janë ndërtuar me gurët e ligjit, bordellot me tullat e fesë”, shkruan ai në “Martesa e Parajsës dhe Ferrit”. Gjithmonë origjinal, gjithnjë falas, gjenia e vërtetë e Bleik qëndron në aftësinë që ai ka për të na ndihmuar të ëndërrojmë jashtë sferës./Konica.al