MENU
klinika

Pesë breza një traditë

Vetëm shqiptarët i japin jetë qytetit amerikan…

29.12.2019 - 12:54

     Emigrantët shqiptarë përbëjnë tashmë, rreth 5 për qind të 180 mijë banorëve në qytetin e Usterit, në shtetin Masaçusets. Të parët e tyre u vendosën atje në fillim të shekullit të kaluar, ndërsa një valë e dytë e ardhur pas viteve ’90-të, e ka pasuruar më tepër komunitetin. Sot, 5 breza shqiptarësh kontribuojnë në jetën e qytetit, duke ruajtur dhe përhapur gjithashtu, traditat dhe kulturën e tyre.

Gregory Steffon u përket trashëgimtarëve të komunitetit shqiptaro-amerikan, që u krijua në Uster, me 400 familjet e para, kryesisht të ardhur nga Korça, 105 vjetë më parë.

Rreth asaj kohe, u themelua edhe Kisha shqiptare Ortodokse e Usterit, duke u bërë qendër e komunitetit.

“Komuniteti filloi të krijohej në vitet 1900 dhe të organizohej rreth vitit 1915. Një nga arsyet që kisha u ndërtua këtu në Uster, ishte pasi dikush që jetonte në Hudson të Masaçusetsit, këtu afër dhe kisha greke nuk pranonte ta varroste sepse ishte një patriot shqiptar”, – ka treguar Steffon, për “Zërin e Amerikës”.

Bëhej fjalë për Kosta Dishnicën, një patriot shqiptar.

Gregory thotë se, për 50 vjet nuk pati emigrantë të rinj për shkak të komunizmit dhe komuniteti u përpoq me sa mundi, të ruante traditën.

“Tani, ndoshta ka pesë breza shqiptaro-amerikanësh, që jetojnë këtu në këtë komunitet. Në mbi 20 vitet e fundit, pasi ra sistemi komunist në Shqipëri, pati një valë të re njerëzish që erdhën nga Shqipëria, pas 50 vjetëve që nuk shënuan asnjë të ardhur”, – shton ai.

Filluan të vijnë familjet e reja, – tha ai – më pas edhe të afërmit e tyre. Kështu është rritur komuniteti dhe sot, ka më shumë shqiptarë se kurrë më parë.

Kisha ndodhet sot, në një godinë re, që u ble në vitin 1982 dhe afresket janë bërë nga një artist shqiptar, Dhimitër Cika. Prifti Mark Doku, shërben këtu prej 15 vjetësh.

“Tani më shumë se kurrë, është shumë më e lehtë për shqiptarët, nga ç’ishte në fillim të shekullit. Si shqiptarët edhe grupet e tjera, nuk ndiheshin mirë, madje ndiheshin si të turpëruar, për shkak të pengesës së gjuhës dhe sepse nuk dinin ç’të bënin. Tani, ata janë të integruar në mënyrën amerikane të jetesës”, – thotë Doku.

Ai thotë se, komuniteti shqiptar ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm, për t’u treguar njerëzve se “kush jemi ne si popull, si kulturë dhe megjithëse Shqipëria është shumë e vogël, është shumë e mirënjohur në Uster”.

“Duke qenë shqiptarë, ne ndonjëherë jemi gjaknxehtë, kemi një pasion për jetën, shqiptarët njihen për këtë. Ata janë gjithashtu, të njohur më veçanërisht për mikpritjen e tyre. I duan njerëzit dhe këtë nuk e sheh vetëm në Shqipëri, por edhe këtu, janë të ngrohtë, e shijojnë jetën e komunitetit”.

“Gjatë 20 vjetëve, patëm njerëz që hapën biznese: kompani sigurimesh, doktorë, pronarë restorantesh. Kemi një komunitet biznesi shumë energjik shqiptar”, – thotë Gregory.

Mes tyre, është Orieta Kristo, që ka një biznes sigurimesh:

“Gjithmonë, jam munduar të ndihmoj sadopak ose duke bërë punë vullnetare, ose duke dhënë fonde për të mbledhur ndihma për komunitetin”, – thotë ajo.

Oriola Koçi dhe bashkëshorti i saj, janë bashkëpronarë të dy restoranteve: “Altea’s Eatery” dhe “Livia’s Dish”, që kanë fituar disa çmime.

“Fakti që ishim në Uster, që jemi të rrethuar nga kaq shumë shqiptarë, na bënte dhe neve, edhe njerëzit që vinin më të rehatshëm, na jepte një çikë më shumë shpresë që çdo ditë do bëhej më mirë. Usteri është qytet i vogël por me shumë shqiptarë që tani një brez i ri që ka filluar të integrohet në jetën e biznesit, politikës, me të vërtetë po punojmë me njëri-tjetrin”, – thotë ajo.

Atë e motivon mbështetja e klientelës së tyre.

“Këta njerëz që vijnë, kënaqen, kritikat e mira që marrim ne, çmimet, janë me të vërtetë ajo që më bën të them që nuk ka biznes dhe punë pa ditë të këqija, por do kalojë dhe do vijë dita më e mirë”, shton ajo.

Frenklin Zdruli, është një nga aktivistët e komunitetit që i takon valës së re të imigracionit dhe thotë që çdo brezi i takon të ruajë dhe përçojë traditën:

“Suksesi i secilit prej nesh është edhe një sukses i mirëfilltë edhe për suksesin e komunitetit dhe është një rrugë me dy kalime. Sa më të suksesshëm të jemi si individë aq më të fortë e bëjmë dhe komunitetin shqiptar”, thotë Zdruli.

Një nga kontributet me peshë në jetën e Usterit, është festivali shqiptar, krijuar në vitin 1983 që bëhet një herë në dy vjet dhe që mbështetet nga komuniteti dhe njerëz të biznesit si zonjat Kristo dhe Koçi. Aty shqiptarë dhe jo shqiptarë shijojnë ushqimin, njihen me muzikën dhe traditat e vendit.

Zoti Zdruli është edhe pjesë e ekipit menaxhues të kompleksit “Illyrian Gardens” me 72 apartamente, ku që nga viti 1991, strehohen të moshuar.

Ai thotë se ka ardhur koha që shqiptarët të shkruajnë historinë e tyre, të komunitetit të tyre.

“Kemi filluar një projekt afatgjatë që është në hapat e para, në bashkëpunim me Muzeun Historik të Usterit për të dixhitalizuar të gjithë këtë histori 105-vjeçare”.

“Që fëmijët të rriten me nocionin që Usteri është shtëpia e tyre dhe familja e tyre, ata vetë janë një pjesë e familjes së madhe amerikane këtu në Uster”, deklaron Zdruli.

At Doku thotë se, pa dyshim që shqiptarët i japin një shije të veçantë Usterit.

“Rrallë qëllon që të kesh një festë dhe të mos dalë dikush të nxjerrë kitarën ose tre-katër veta qeshin, këndojnë, gëzojnë shoqërinë e njëri-tjetrit, prandaj përsa kohë të ketë shqiptarë në këtë qytet, qyteti do të ketë gjallëri”, – përfundoi Mark Doku.