More çikë çka të tha plaku
More çikë çka të tha plaku?
-Lut mu ka bloftae gjaku!
Lypi cicen – laftae gjaku
unë ia dhash e s`mun mi kapi
te tanë gjyksin ma përgjaku!
*
Jo një studiuese apo një mbledhëse e folklorit, por një aktore e dashur për publikun dhe një grua e cila duket se diku në zemër e ka pasur gjithmonë të fshehur dëshirën për këto këngë. Vlora Nikçi, e lindur në Pejë, ka promovuar mbrëmë në kryeqytet librin ‘Kangë popullore erotike’, ku janë mbledhur poezi e vargje të guximshme për kohën e tyre, plot epsh dhe epos, plot dashuri e prekje organesh, plot cica e plot gra, plot burra e plot masturbime, plot ndjenja, hyjni, plot burrëri e plot përplasje përtoke, plot livadhe të gatshme të përjetojnë seksin.
Në Menzën Ramiz Sadiku në kryeqytet, libri në të pembe sillej prej duarve në duar, brenda me rreth 70 kangë popullore shqiptare, erotike, të trevave të ndryshme, kënduar e recituar e mishëruar prej emrave të ndryshëm. Një pjesë e këtyre këngëve janë harruar prej historisë, të tjerat lëvrohen vetëm prej studiuesve të rrallë. Vlora, inspiruar prej gjyshes së saj – së cilës edhe i kushtohet libri, Hake Haxhijaj Nikçi, ka përmbledhur këto poezi me dëshirën për të dokumentuar një pjesë të bukur të folklorit erotik, sipas Kultplus.
“Sidomos më kujtohet gjyshja, e cila i ka kënduar një pjesë të këtyre këngëve, por edhe gjyshi më pas, dhe dikur i këndonin njëri tjetrit, me kënaqësi të madhe shpirtërore. Duke dashtë me e kujtu gjyshen time, unë kam vendosë që këto kangë me i nda me shokët e mi artistë të cilët janë befasu shumë kur i kanë dëgju. Kësisoj e kuptova që duhet me i publiku ato, dhe i hyrja mbledhjes së tyre” – tregon, Vlora Nikçi.
“Kam gjetur plot këngë dashurie, të cilat çojnë kah erotike, por nuk janë krejtësisht erotike. Asokohe ka ekzistuar njëfarë turpi për këto këngë, dhe si pasojë e kësaj shumë njerëz kanë ngurruar ti këndojnë apo ti tregojnë. U preka shumë dhe për rehatinë time shpirtërore vendosa t’i botoj ato në këtë përmbledhje që sonte po e sjellim edhe me aktorët që po i lexojnë disa prej tyre” – vazhdoi, Nikçi.
Rrustem Berisha, etnolog dhe ndihmues në këtë libër, tha se Vlora ka marrë një rrugëtim jo të lehtë, që të përthekojë këto kangë por edhe t’i sjellë ato të përmbledhura.
“Libri i pagëzuar kështu e dëbon nga mendjet e turbullta të njerëzve një tabu për ruajtjen apo prishjen e moralit që disa nga njerëzit e kohës sonë e kanë ende në kokat e tyre. Ky libër përmban vlera të rëndësishme të artit dhe vlera të rendit e të sjelljes së shoqërisë shqiptare” – tha gjatë promovimit, Berisha, studiues e hulumtues i poezisë së dashurisë.
Profesori Besim Rexhaj, e çmoi lart librin dhe përmbajtjen e tij, duke treguar se kësisoj po fillon një traditë e re e botimit të një zhanri që i mungonte aq shumë kulturës dhe jetës sonë.
“Ky është një libër ekskluziv, botim provokativ dhe i vlefshëm që e mbushë një boshllëk, një zbrazëti pothuajse të pafalshme në kulturën tonë. Këto këngë dashurie janë botuar, variante të tyre të ndryshme janë botuar, por jo kësisoj të përmbledhura, të pacensuruara, të bukura e të pasura me erotikë të papërsëritshme. Askush para Vlorës, nuk i ka hyrë një ndërmarrjeje të tillë të sistemimit të një trashëgimie të tillë” – tregoi profesori Rexhaj.
*
Kush po zdirgjet qasaj are
Kush po zdirgjet qasaj are?
Ni syzezë kapuç me pare,
As e vogël, as e madhe,
Sikur dardha rrumbullake;
Po kuvend djali me çikë.
Po i thot nusja: – Shka po lyp?
– Njanen faqe me nji cic’
Qaty nusja i paska brit’:
– Mos ja jep t’plasshin syt’!
Asht i ri e na korit’.
E lyp rokin dit’ për dit’.
Soll ni dit’ n’rok mos m’i dalë,
S’na le vendin n’shtat mahallë.
*
Librin e kanë hijeshuar edhe punimet artistike të Artan Hajrullahut, edhe ato me ngjyrimin e tyre erotik, jo pornografik, për ta ilustruar secilën kangë e varg.
Këngët janë kënduar e recituar nga Hake Nikçi, Hysen Kurti, Remshije Kastrati, Bute Nikçi Lajqi, Isë Elez Muriqi, Xhevahir Kastrati.
*
Oj syzezë qi delë në derë
Oj syzezë qi delë në derë,
Të thaft’ zoti për kit verë!
Pse i ban veti poterë,
Se mahitna me goj’ka ‘i herë?
Goja e fyti m’u kan’ terë,
M’u kan’ terë goja e fyti.
A ma jep cicën ta thithi?
M’ka dek’ nana, m’ka lan’ t’ri;
Cica t’bardha kurr s’jam ngi;
Pak po i ha, ma shumë po i pi
Si maraku i djalit të ri.
*
Aktorët Xhejlane Tërbunja, Bislim Muçaj, Donika Ahmeti, Enver Petrovci Lirak Çelaj, Adrian Morina dhe të tjerë sollën më pas në skenë një pjesë të këtyre poezive, plot emocione e plot shfrenim, ashtu siç e kërkon ky lloj i këngëve që para shumë vitesh paska lejuar të shpërthejë vullkani erotik i njerëzve që i kemi njohur, e kemi pasur lidhje gjaku me ta.
Nga: Arbër Selmani