Në Durrës 5 persona sfiduan temperaturat e ftohta të këtij fillim Janari duke u hedhur në ujrat e Adriatikut dhe kryqi u kap nga i riu Nikolla Bici.

Me gjithë temepraturat shumë të ulëta, qytetarët korçarë e zhvilluan ceremoninë në shatërvanin tek lulishtja ”Vangjush Mio”. Kryqi u nxor nga uji nga i riu Tomas Menkshi.

Edhe në Fier Kisha e Shën Gjergjit ka organizuar hedhjen e kryqit në ujë. Ishte 16 vjecari Athanas Davidhi i cili nxori kryqin nga uji, për të 6-tin vit radhazi.

8 të rinj u hodhën në ujërat e lumit Osum në Berat për të nxjerrë kryqin, dhe për të 2-tin vit radhazi kryqi u kap nga 42-vjeçari Alfred Xhimitiku.

Në Gjirokastër, dhjetëra banorë morën pjesë në ceremoni në ujërat e lumit Drino ku besimtari Thanas Poçi u bë shpëtimtari i kryqit, duke sfiduar të ftohtin e acartë.

Edhe në Lushnje besimtarët ortodoksë zhvilluan ceremoninë e hedhjes së kryqit. 27 vjecari Ornel Bushi ishte ai i cili nxori kryqin nga ujërat e lumit Seman.

Për besimtarët uji i bekuar është mjet pastrimi i shpirtit të mëkatarit ndaj dhe çdo datë 6 janar besimtarët ortodoksë bëhen pjesë e ritualit të Ditës së Ujit të Bekuar.