Në kuadër të luftës kundër shkatërrimit dhe mbrojtjes së Malit të Tomorit nga subjektet që ushtrojnë veprimtari të paligjshme në këtë territor, Drejtoria Vendore e Policisë Berat në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Skrapar, ka ndërmarrë një operacion në të gjithë malin.
Materialet në ngarkim të tyre i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat për veprën penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”.
Prej disa muajsh firmat e nxjerrjes së gurit dekorativ në Malin e Tomorit kanë punuar natën dhe në fshehtësi për nxjerrjen e pllakave të gurit në Novaj. Por prej datës 19 dhjetor 2019 të gjitha firmave të gurit në Malin e Tomorrit u janë hequr licencat dhe prej asaj dite ata quhen “të kundraligjshëm” në ushtrimin e këtij aktiviteti.
Prej muajsh forca të shumta policie kanë qenë çdo ditë në të gjitha rrugët hyrëse dhe dalëse, në malin e Tomorrit për të ndaluar punën e firmave të nxjerrjes së gurit dekorativ që kanë pretenduar se duhet të vijojnë punën pasi fituan gjyqin në Gjykatën Administrative.