Këshilli i ministrave të Italisë miratoi të hënën një dekret që lidhet drejtpërdrejt me migracionin.
I quajtur “Dekreti Salvini”, sipas Matteo Salvinit, ministrit të brendshëm që e hartoi atë, dokumenti është një instrument emergjent që parlamenti duhet ta konvertojë në ligj brenda 60 ditësh.
Migrantët do të mund të dëbohen nëse gjenden fajtorë për krime serioze, të tilla si përdhunimi dhe sulmi. Më herët, kjo ka qenë e mundur vetëm në fund të një procesi të gjatë të apelit.
Dekreti përcakton kohën që emigrantët mund të mbahen në qendrat e riatdhesimit nga tre deri në gjashtë muaj.
“Është një hap përpara për ta bërë Italinë më të sigurt,” shkruante Salvini menjëherë pas takimit, “për të luftuar më efektivisht mafian dhe trafikantët, për të ulur kostot e emigracionit të tepërt, për të dëbuar më shpejt kriminelët dhe refugjatët e rremë, për të pastruar shtetin nga terroristët , për të forcuar fuqitë e policisë “.
Kryeministri Giuseppe Conte tha se dekreti ishte në përputhje me të drejtat e njeriut. “Ne po rishikojmë legjislacionin për ta bërë atë më efektiv”, u tha ai gazetarëve.
Italia shqyrtoi 81,000 kërkesa për azil në vitin 2017. Në një nga katër rastet, kërkuesit iu dha “mbrojtje humanitare”, praleje qëndrimi dyvjeçare, ndërsa statusi i refugjatit dhe mbrojtja plotësuese arritën në rreth 8% të totalit të rezultateve. Më shumë se 50 për qind e aplikacioneve u refuzuan.
Nga tani e tutje, Salvini tha në konferencën për shtyp se mbrojtja humanitare do t’u jepet “viktimave të shfrytëzimit në punë, viktimave të trafikimit, dhunës në familje, fatkeqësive të rënda natyrore, dhe atyre që kanë nevojë për kujdes mjekësor”.
Italia aktualisht ka marrëveshje riatdhesimi me vende të tilla si Tunizia, Egjipti, Maroku dhe Nigeria, por nuk mund të deportojnë azilkërkuesit që vijnë nga Mali apo Senegali, për shembull.
Dekreti është pjesë e një goditjeje të përgjithshme mbi migracionin që ka shkaktuar konflikte diplomatike në Evropë, por ka fituar konsensusin e ministrit të brendshëm me elektoratin italian, sipas sondazheve të fundit.