Një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të elitës arbëreshe është padyshim Jeronim De Rada, që ndryshe nga paraardhësit e vet, jo vetëm pati meritën që hapi siparin e Romantizmit në letërsinë shqipe me veprën e tij “Këngët e Milosaos” 1836, por për herë të parë e integroi letërsinë e një komuniteti të vogël në rrjedhat europiane të kohës.
“Këngët e Milosaos”, si tekst letrar, kanë si motiv kryesor dashurinë e Milosaos me Rinën, bijën e Kalogresë. Gjithandej ndihet atmosfera e dashurisë së tyre, si në takimet në vende të ndryshme në fshat, që mund të quhet një fejesë apo dhe më vonë në martesën e tyre. Kangjelet duket sikur janë ilustrim i ndjenjës së tyre. Motivi që vë De Rada në bazë të kësaj vepre ashtë dashuria fatkeqe e dy të rinjve, që i pengon mjedisi. Përzgjedhja e një të dashure dhe rrethanat që të jenë të lumtur, është shfrytëzuar dhe në letërsinë romantike sentimentale, por poeti i ka dhënë një freski e origjinalitet të jashtëzakonshëm. Poema nuk pati sukses vetëm mes kolonisë arbëreshe në Itali.
Duke qenë se vetë De Rada dëshironte të njihej në qarqet letrare të kohës, shpesh herë ndërmerrte takime, u dërgonte librat e vet apo mbante korrespodenca me njerëz të shquar të letrave në Francë, Itali e Gjermani. Dhe kështu u njoh në disa qarqe europiane letrare. Një takim i paharruar për të ka qenë me shkrimtarin e madh romantik francez Alfonse De Lamartine, në shtator të vitit 1844. De Rada në kujtimet e veta shkruan se:
“Ai ishte në kulm të karrierës së vet të shkëlqyer e të brohoritur. I shtyrë nga padurimi për të ditur (për të kuptuar) se nëse ndjenja krenare që kisha për veten ngrihej mbi ndonjë bazë të shëndoshë, kur Ai (Lamartine) kaloi nga Iskia, i dërgova, me anë të një marinari, një kopje të “Milosaos” me “Këngët e Serafinës”.
U fol në rrethin e miqve të mi për këtë guxim (thuhej se kishte pritur letrarët e Napolit me mirësjelljen e një njeriu që nuk i njeh) dhe shumë nga familjarët e mi prisnin që mendjemadhësia ime të merrte dënimin e merituar. Unë kisha zënë shtratin nga dhimbjet e shpirtit, kur pas pesë ditësh, marinari u kthye me këtë letër:
“Zotni,
Jam i lumtur për këtë shenjë vëllazërie politike mes jush dhe meje. Poezia ka ardhur nga brigjet tuaja dhe aty duhet të kthehet. Unë nuk kam pasur asnjë meritë tjetër veçse e kam parandjerë dhe që kam shprehur dëshirat e para për rilindjen dhe ringjalljen e Shqipërisë. Ju më shpërblyet së tepërmi. Më vjen keq për shkakun që më pengon t’ju shoh, dhe ju lutem të pranoni falënderimet dhe përgëzimet e mia.”
Lamartine
Iskia, 8 shtator 1844
Më andej, De Rada vazhdon me kujtimet kur u kthye nga Iskia: “I bëra një vizitë në Hotelin e të Huajve në bregdetin e Kiarias. Më tha fjalë që do të ngjallnin një farë krenarie në zemrën e cilitdo. Pastaj, disa ditë më vonë, ndërsa po largohesha nga vila bashkë me dy miq të mi, na kaloi pranë me familjen e Kontit Le Fevre, në karrocë. Hoqa kapelën dhe e përshëndeta. Ndërsa karroca ngjitej në të përpjetën e rrugës, vura re se zonjushat Le Fevre u ngritën në karrocë, kthyen kokat nga unë e më panë, duke m’i ngulur sytë. Gëzimi i madh ma dehte shpirtin.”
Korrespondenca, takimi dhe vlerësimi i poezisë së De Radës nga Lamartine, një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës, nuk mund të shënohen në analet e kohës si rastësi të bukura mes dy njerëzve të letrave, por si një afinitet poetik i bekuar, që bënte të mundur prezantimin e vlerave të një vendi të panjohur në momentet më vendimtare të tij, kur po përpiqej të ringjallej.
De Rada, ashtu si pothuajse gjithë shkrimtarët dhe poetët e mëdhenj shqiptarë, ka pasur fatin e mirë (apo të keq) që të mos përfaqësojë vetëm veten, por edhe fatin e trishtë të vendit të tij. Bota mesjetare arbëreshe kish trokitur kështu në kujtesën e vjetër të kontinentit, kur trekëndëshi Greqi-Itali-Shqipëri me qytetërimet e tyre të vjetra kishin shërbyer si mëndesha të qytetërimit europian.
Nga: Dorian Koçi
Shënim: Kjo ese është botuar fillimisht me disa ndryshime në titull dhe tekst, në blogun e autorit.